A po vendoset në pikëpyetje kryeministri shqiptar në Maqedoninë e Veriut?

by admin
Spread the love

Zhvillimet e fundit në politikë po e vendosin në pikëpyetje kryeministrin e shqiptarë të Qeverisë së RMV-së. Çfarë do të ndodhë me këtë marrëveshje, në rast se pranohet opsioni i qeverisë së zgjeruar dhe në rast se BDI shkon në opozitë. Nënkryetari i kësaj partie Arbër Ademi për TV21 deklaroi se formimi i Qeverisë gjithëpërfshirëse për votimin e ndryshimeve kushtetuese nuk ndërlidhet me marrëveshjen që në 100 ditët e fundit të kësaj Qeverie kryeministri të jetë shqiptar, që i bie se fillimisht do të duhet të kemi qeveri të zgjeruar për ndryshime kushtetuese dhe për të caktuar zgjedhje të reja dhe pastaj qeveri teknike me kryeministër shqiptar.

Ajo është marrëveshje politike që është pranuar nga të gjitha palët të cilët kanë arritur atë marrëveshje, por për këto zhvillimet e fundit po them se brenda partisë jemi në takime dhe konsulta permanente me miqtë tanë ndërkombëtarë. 100 ditëshi nuk ka të bëjë me një Qeveri e cila mund eventualisht të formohet pas hyrjes në fuqi të ndryshimeve kushtetuese”, deklaroi Arbër Ademi, nënkryetar i BDI-së.

Ademi theksoi se për BDI me rëndësi është që të votohen dhe të hyjnë në fuqi ndryshimet kushtetuese, e që, sipas tij, më pas në zgjedhje vendoset se kush do të hyjë në Qeveri.

“Se BDI a do të jetë në qeveri apo nuk do të jetë në qeveri çdo herë ka respektuar vullnetin e popullit. Ne qëndrimin tonë e kemi theksuar, po mbështesim çfarëdo iniciative por paraprakisht le të votohen ndryshimet kushtetuese dhe le të hyjnë në fuqi, le të hapet perspektiva europiane për vendin e qytetarët e kanë mundësinë të shohin se kush e dëshiron futjen në qeveri, kush mendon për zgjedhjet e ardhshme e në anën tjetër kush mendon për gjeneratat e ardhshme dhe për perspektivën e vendit”, tha Arbër Ademi, nënkryetar i BDI-së.

I pyetur se në rast se në zgjedhjet e ardhshme parlamentare fitues del VMRO-DPMNE, e nuk e zgjedh si partner të koalicionit BDI-në, Ademi tha se edhe në të kaluarën partitë maqedonase kanë kërkuar që BDI të shkojë në opozitë, mirëpo epilogu ka qenë e kundërta e kësaj.

“Kemi patur mundësinë që gjatë këtyre viteve të fundit të pluralizmit politik, veçanërisht pas vitit 2001 të dyja partitë maqedonase shpesh herë pra jo rrallë herë të deklarohen se pse mos të shkojë BDI në opozitë dhe epilogun e keni parë këto 21 vite. Kështu që deri sa Ali Ahmeti dhe BDI ka mbështetjen plebishitare të qytetarëve dëshirat e partive tjera politike mundet të mbeten vetëm në letër e në mendjen e tyre”, deklaroi Arbër Ademi, nënkryetar i BDI-së.

Nga ana tjetër kreu i VMRO-DPMNE-së, Mickoski insiston se në zgjedhjet e ardhshme nuk vlen më parimi fitues me fitues dhe se BDI do të shkojë në opozitë.

You may also like