A mund të dështojë vettingu? – avokatët kërkojë që procesi të përkrahet nga të gjitha partitë

by admin
Spread the love

Avokatët në vend konsiderojnë që implementimi i procesit të vettingut në Kosovë është jashtëzakonisht i rëndësishëm dhe i domosdoshëm, me ç’rast sistemi i drejtësisë do të pastrohet, raporton Ekonomia Online.

Sipas tyre ka gjasa që gjyqtarë e prokurorë që mbrapa tyre kanë
“afera” të largohen nga sistemi.

Avokati Tomë Gashi në një intervistë për Ekonomia Online tha se me
implementimin e vettingut në do të pastrohet sistemi juridik i Kosovës, për të
cilin thotë se nuk ka aspak besueshmëri.

“Besoj që tani të gjithë e dinë që vettingu është i vetmi instrument
ligjor të cilin po e përdor Qeveria Kurti dhe së shpejti do të filloj
implementimi i këtij projekti për tu pastruar definitivisht një herë e
përgjithmonë sistemi juridik i Kosovës i cili thuajse aspak apo vetëm pak ka
besueshmëri”.

“Mendoj se në një situatë të tillë kemi arritur për shumë arsye, e njëri
prej shkaqeve është se edhe zyrtarët të lartë politik në të kaluarën thuajse
kanë deleguar gjyqtarë e prokurorë duke i ndihmuar ata që të emërohen në pozita
kyçe e pastaj një pjesë e tyre ka mundur të jetë krejtësisht i instrumentalizuar.
Mendoj se pa vetting, ne sistemin juridik do ta kemi të tillë për të cilin
qytetarët e Kosovës nuk janë fare të kënaqur”.

Sipas Gashit, gjasat për të dështuar procesi i vettingut janë zero e që
vendimin përfundimtar për ta kaluar apo jo këtë ligj e kanë deputetët e
Kuvendit të Kosovës.

Ai thotë se këtë proces do të duhej ta përkrahte secila parti pasi është në
të mirë të përgjithshme.

“Gjasat për të dështuar vettingu janë pothuajse zero. Për shkak që
këtë që po e bënë Qeveria Kurti është në të mirë të të gjithë qytetarëve të
Republikës së Kosovës dhe nuk ka kurrfarë implikime politike. Por, Qeveria do ta
paraqes këtë ligj në Parlamentin e Republikës së Kosovës, Parlamenti me
deputetët e saj që supozohet dhe do të duhej ishin përfaqësuesit e zërit të
popullit të Kosovës do të japin vendimin përfundimtar se a do të kaloj vettingu
apo jo”.

Avokati Skender Musa, në një intervistë
për Ekonomia Online tha se procesi i vettingut në Kosovë është i domosdoshëm.

Por sipas tij, Qeveria aktuale ka
dashur që në sistemin e drejtësisë të fus prokurorë e gjyqtarë të afërt me ta, duke
shtuar se kjo do të ishte shumë e rrezikshme për sistemin e drejtësisë.

“Vettingu është i domosdoshëm në
Republikën e Kosovës, por forma se si ka rekomanduar Komisioni i Venecias që vettingu
t’i përfshijë vetëm Këshillin Gjyqësor, Këshillin Prokurorial, Kryetarët e
Gjykatave dhe Kryeprokurorët nuk mund me pastruar drejtësinë në Kosovë. Kosova
ka nevojë për një vetting të mirëfillte të pa ndikuar politikisht sepse edhe
forma se si ka dashtë ta bëjë Qeveria ka qenë një formë hakmarrëse dhe nuk kanë
dashtë me bë vetting të mirëfilltë”.

“Por, kanë dashtë t’i largojnë disa
prokurorë dhe gjyqtar nga prokuroritë dhe gjykatat dhe të instalojnë persona të
afërt me Qeverinë, që është shumë e rrezikshme për sistemin e drejtësisë. Unë mendoj
se këto janë arsyet pse Komisioni i Venecias ka dhënë rekomandime që të ketë
ndryshime vetëm në përbërjen e Këshillit Gjyqësor, Këshillit Prokurorial dhe
kryetarëve. Të shihet njëherë se si po veprohet, a po ka kompromis politik në
mes partive politike dhe a po janë të paanshëm sepse edhe nëse ka kompromis
politik në mes partive politike ato mund të merren vesh që të instalojnë
njerëzit e tyre politik në këto institucione që paraqet rrezik”.

Musa, thotë se ka shumë gjasa që
procesi i vettingut të dështoj për shkak se partitë politike nuk po gjejnë
kompromis ndërmjet tyre, raporton EO.

Avokati Musa thotë se ka mundësi që një
pjesë e gjyqtarëve dhe prokurove të largohen vetë.

“Ka shumë gjasa që të dështoj si
proces vettingu për shkak se kompromisi në mes partive politike ne po shohim që
është jashtëzakonisht i vështirë. Në Kosovë nuk duhet me harru faktin se ka
prokurorë dhe gjyqtarë të gjitha niveleve që nuk janë të korruptuar dhe që janë
të aftë e kompetent për kryerjen e detyrave të tyre”.

“Mirëpo, gjithashtu ka prokurorë dhe gjyqtarë të cilët nuk kanë kurrfarë performance për me qëndruar në pozitat të cilat i kanë marrë dhe për të cilat konsideroj që i kanë marrë pa meritë. Një pjesë e madhe e prokurorëve dhe gjyqtarëve të cilët e dinë veten që nuk janë për ato pozita apo që janë të ngarkuar me ndonjë hipotekë qoftë korruptive apo politike, besoj që do të largohen edhe vetë”.

You may also like