Dita e nëntë e barrikadave serbe në veri, Beogradi me “veshët ngrehur” – Shqip

by admin
Spread the love

Serbët në veri të Kosovës për të nëntën ditë po protestojnë te barrikada, ndërsa pikat kufitare Jarinje dhe Bërnjak janë të mbyllura, nën kontrollin e Policisë së Kosovës.

Misioni i KFOR-it ende nuk i është përgjigjur kërkesës së autoriteteve serbe për kthimin e forcave të sigurisë në Kosovë, raporton Beta, duke iu referuar Radio Televizionit të Serbisë (RTS).

KFOR-i njoftoi se ka kapacitete për të siguruar një mjedis të sigurt dhe liri të lëvizjes për të gjitha komunitetet, në përputhje me mandatin e bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.

Situata u tensionuar pas arrestimit të ish-policit të Kosovës Dejan Pantiç, dhe më pas të kolegut të tij Sllagjan Trajkoviç.

Në fillim të dhjetorit, Dejan Pantiç u largua nga policia së bashku me kolegët e tjerë në shenjë proteste kundër vendimit të qeverisë së Kosovës për riregjistrimin e veturave me targa të lëshuara në Serbi.

Ai është arrestuar më 10 dhjetor në vendkalimin kufitar Jarinje dhe i është caktuar masa e ndalimit prej 30 ditësh nën dyshimin se ka marrë pjesë në sulmin në objektin e Komisionit Komunal të Zgjedhjeve në pjesën veriore të Mitrovicës.

Ish-polici Sllagjan Trajkoviç u arrestua të enjten dhe dyshohet për krime lufte. /tesheshi.com/

You may also like