Google thotë se ka arritur të gjejë çelësin e inteligjencës së biznesit

by admin
Spread the love
Në konferencën e Google Cloud Next (11 – 13 tetor), gjiganti i teknologjisë nxori në pah ekspertizën e tij në Inteligjencën Artificiale, në inteligjencën e biznesit, si dhe mbështeti krijimin e një ekosistemi të hapur të të dhënave.

 

Dy vite pasi bleu platformën e inteligjencës së biznesit Looker, Google thotë se ka arritur të gjejë çelësin e inteligjencës së biznesit.

Në fushën e inteligjencës së biznesit, “ka ekzistuar gjithmonë një dilemë mes idesë së kontrollit manual të kësaj inteligjence dhe vetëshërbimit, dhe nuk ishte arritur një shkallë e pranueshme mes nivelit të besimit dhe nivelit të fleksibilitetit”, tha për gazetarët Gerrit Kazmaier nga Google javën e kaluar, përpara konferencës së Google Cloud Next.

“Në Google, mendoj se ne kemi gjetur mënyrën se si ju mund të arrini të keni të dhëna të besueshme nëpërmjet lehtwsisw dhe shpejtësisë që ofrojnë metodat e vetëshërbimit.” Për ta arritur këtë, Google Cloud po unifikon produktet e veta të inteligjencës së biznesit, duke kombinuar Looker dhe Data Studio për të krijuar Looker Studio.

Programi do të vijë në tre nivele, duke përfshirë edhe Looker Studio Pro, i cili ofron mbështetje dhe disa funksione të veçanta për menaxhimin e korporatave. Investimi në platformën Looker është pjesë e përpjekjeve të vazhdueshme të Google Cloud për t’u fokusuar te pikat e forta që kompania sjell në tregun publik “cloud”, duke përfshirë qasjen e unifikuar dhe të hapur ndaj transformimit nëpërmjet të dhënave, si dhe funksionalitetet e saj të fuqishme në fushën e Inteligjencës Artificiale.

Në fushën e teknologjisë “cloud”, “ne po vëmë re hapjen e disa tregjeve të reja dhe kjo është nxitur nga rritja në disa fusha kryesore”, tha Katie Watson, drejtuese e komunikimit për produktet e Google Cloud. Kjo përfshin “të dhënat, Inteligjencën Artificiale, mësimin e makinerive, kibernetikën – dhe të gjitha këto janë përputhur vërtet mirë me fuqinë e Google Cloud”.

Në konferencën e Google Cloud Next, kompania bëri publike disa produkte dhe funksione të reja në këto fusha. Për ta bërë Inteligjencën Artificiale më të aksesueshme, Google po zgjeron ata që i quan “Agjentët e Inteligjencës Artificiale”, të cilët janë një kategori aplikacionesh dhe shërbimesh që përdoren për të zgjidhur probleme specifike të bizneseve, të cilat nuk kërkojnë nivel të lartë të ekspertizës teknike.

Për shembull, kompania po bën publik Translation Hub – një agjent të Inteligjencës Artificiale, i cili u ofron klientëve përkthimin e dokumenteve nëpërmjet vetëshërbimit. Ai mund të përkthejë automatikisht dokumentet në 135 gjuhë.

Ndër të tjera, agjenti i Inteligjencës Artificiale mund të ndihmojë studiuesit që të ndajnë punën e tyre globalisht, ose mund të ndihmojë kompani të ndryshme  të shërbejnë në tregjet globale.

Google po bën publik gjithashtu Vertex AI Vision, një mjedis i ri për zhvillimin e aplikacioneve, i cili shërben për ndërtimin dhe implementimin e aplikacioneve të vizionit kompjuterik.

Ndërkohë, Google Cloud po fokusohet edhe në ndërtimin e një platforme në “cloud” për të dhënat e hapura, e cila unifikon të dhënat nga të gjitha formatet, nga të gjitha “cloud”-et dhe nga të gjitha programet e mundshme.

Për këtë qëllim, motori i ruajtjes së të dhënave të Google, BigLake, do të shtojë mbështetjen për Apache Iceberg, një format tabular me burim të hapur. Së shpejti do të fillojë mbështetja edhe për formatet Delta Lake dhe Apache Hudi.

Në BigQuery, Google po shton mbështetjen për të dhënat e pastrukturuara, si dhe për Apache Spark dhe Datastream.

Google Cloud po përmirëson edhe infrastrukturën e saj bazë. Kompania ka plane për të hapur rajone të reja Cloud në gjashtë vende: në Austri, Republikën Çeke, Greqi, Norvegji, Afrikën e Jugut dhe Suedi, duke arritur në 49 rajone gjithsej.

Kompania po prezanton gjithashtu një familje të re të makinerive virtuale, C3, e cila funksionon me procesorin Intel Xeon Scalable të gjeneratës së 4-t, si dhe Njësinë e Përpunimit të Infrastrukturës (IPU) që Google e krijoi në bashkëpunim me Intel.

Me një shërbim të ri të quajtur Dual Run, klientët mund të migrojnë më lehtë të dhënat e tyre në “cloud”. Shërbimi, i ndërtuar nëpërmjet teknologjisë unike të zhvilluar nga Banco Santander, një nga bankat më të mëdha në botë, i lejon ata të bëjnë një kopje dixhitale të sistemeve të tyre kryesore dhe t’i ekzekutojnë njëkohësisht në Google Cloud. / ZDNet

You may also like