INDEP prezanton raportin “Zbatimi i Pakos së Ringjalljes Ekonomike”, vetëm 10 masa të zbatuara plotësisht

by admin
Spread the love

Është mbajtur tryeza përmbyllëse “Zbatimi i
Pakos së Ringjalljes Ekonomike”, e organizuar nga Instituti për Politika
Zhvillimore – INDEP.

Donikë Beqiri, koordinatore e këtij projekti nga Instituti, bëri përmbledhjen e projektit dhe tregoi të gjeturat e projektit në përgjithësi, raporton Ekonomia Online.

Ajo e cilësoi Pakon e Ringjalljes Ekonomike,
si një ndër më të rëndësishmet, ndërsa tregoi për zbatimin dhe qëllimin e saj.

“Pako e Ringjalljes Ekonomike është një ndër pakot më të rëndësishme, që ka vlerën më të lartë të mjeteve financiare dhe pako që prek dimensione të ndryshme. Pako ka filluar të zbatohet që nga korriku i vitit të kaluar.”

“Ka pasur për qëllim rikuperimin ekonomik,
rritjen e bruto produktit vendor si dhe aftësimin e të rinjve profesional në
fusha të ndryshme dhe fuqizimin e grupeve me vulnerabilë që pandemia i ka prek
më shumë, si gratë, pensionistët e personat me nevoja të veçanta”, u shpreh
ajo.

“Përgjegjëse kryesore për projektimin dhe
zbatimin ka qenë ministria e financave por nuk janë lënë anash as institucionet
tjera që kanë bashkëpunuar. Ka pasur institucionet të caktuara që kanë qenë përgjegjëse
për masa të caktuar. INDEP ka punuar dhe ka bërë një sërë aktivitetesh, kanë
filluar me 13 buletine informuese, dhe kanë ofruar mjaftueshëm info për qytetarët,
mënyra se si t’i qasen masave dhe si t’i zbatojnë ato.”

Tutje, Beqiri tha se INDEP ka përpiluar tri
raporte me qëllim monitorimin e secilës masë dhe se është gjetur se në total
janë zbatuar 10 masa plotësisht, 9 në mënyrë të pjesshme , 3 në nivel të
kufizuar dhe pa zbatuar kanë mbetur 3 masa.

“Gjatë kësaj periudhe INDEP ka përpiluar tri
raporte që kanë pasur për qëllim monitorimin e secilës masë veç e veç. Raporti
i fundit ka të gjetura të detajuara. Një e gjetur që doja ta përmendja sot, atë
sa masa janë zbatuar. Deri tani 10 masa në plotësi janë zbatuar, 9 në mënyrë të
pjesshme , 3 në nivel të kufizuar dhe pa zbatuar kanë mbetur 3 masa.”

You may also like