GJERMANI – G7 përdor paratë e mbledhura nga eksportet ruse për të ndihmuar Ukrainën

by admin
Spread the love

GJERMANI, 27 qershor /ATSH-AA/- Shtatë vendet më të fuqishme në botë kanë rënë dakord të përdorin paratë e mbledhura nga tarifat e larta tregtare të vendosura ndaj Rusisë për të ndihmuar Ukrainën, thuhet sot në një deklaratë nga Shtëpia e Bardhë.

“Në ditën e dytë të samitit të G7 në Gjermani, liderët kanë prezantuar angazhime të reja për të goditur më tej ekonominë ruse dhe për të siguruar që Rusia të paguajë për kostot e luftës së saj”, thuhet në deklaratë.

“SHBA-ja do të zbatojë një tarifë më të lartë për Rusinë për më shumë se 570 grupe produktesh ruse me vlerë rreth 2.3 miliardë dollarë”, sipas deklaratës.

Të gjithë anëtarët do të angazhohen për të ndihmuar Ukrainën duke mbuluar mungesën e financimit të saj afatshkurtër buxhetor, përfshirë një angazhim prej 7.5 miliardë dollarësh nga ndihma e dytë shtesë nga SHBA-ja.

“Udhëheqësit do të bëjnë një angazhim të paprecedentë dhe afatgjatë të sigurisë për t’i ofruar Ukrainës mbështetje financiare, humanitare, ushtarake dhe diplomatike për aq kohë sa të jetë e nevojshme”, thuhet në deklaratë.

Mbështetja e re do të përfshijë ruajtjen e gatishmërisë dhe mbrojtjes së besueshme ushtarake të Ukrainës, përfshirë sigurimin në kohë të pajisjeve moderne të mbrojtjes dhe sistemeve të avancuara të armëve.

Kryeministri i Britanisë së Madhe, Boris Johnson do t’u bëjë thirrje liderëve botërorë që të ndërmarrin veprime urgjente për të transportuar furnizimet thelbësore ushqimore nga Ukraina.

Qeveria ka planifikuar riparimin e hekurudhave jetike në mënyrë që të transportojë grurë jashtë vendit.

Që nga fillimi i luftës së Rusisë kundër Ukrainës, takimi i parë me pjesemarrjen e shtatë vendeve kryesore të botës filloi të dielën në Gjermani, ku liderët diskutuan krizën ushqimore dhe energjisë të nxitur nga lufta.

Ngjarja treditore po zhvillohet në Schloss Elmau në Alpet bavareze, me axhendën e saj konsiderohet më urgjente se kurrë ndërsa lufta në Ukrainë vazhdon. //a.i/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

You may also like