9 të vrarë nga sulmet ajrore të Izraelit në zonat e banuara në Gaza (fotot)

by admin
Spread the love
1a7253ebfd94147be1a9016b1f9dc492.jpeg

Të paktën nëntë njerëz janë vrarë sot në Gaza – duke përfshirë një militant të grupit Xhihadi Islamik dhe një vajzë e vogël – dhe 55 njerëz u plagosën në një seri sulmesh me raketa nga gjuajtësit izraelitë mbi zonën e banuar.

Taysir al-Jabari, komandant militant, u vra nga sulmi ajror ndaj një apartamenti në Kullën Palestinës në qendër të qytetit të Gazës, tha grupi Xhihadi Islamik.

Ministria e shëndetësisë në Gaza tha se nëntë njerëz u vranë në sulmet, duke përfshirë al-Jabari dhe një vajzë pesë vjecare. Ndërsa 55 njerëz të tjerë ishin në spital si pasojë e sulmeve ajrore.

Tym i zi dilte nga kati i shtatë i një ndërtese në Gaza teksa grupet e ndihmës nxitonin në skenë për të evakuar njerëzit dhe për të shuar flakët e shkaktuara nga sulmi.

“Ne sapo hëngrëm drekë dhe fëmijët po luanin, kur papritur një shpërthim i madh goditi ndërtesën e lartë ku banojmë. U larguam me vrap, zhurma ishte shumë e madhe. Ishte shokuese sepse vendi është i mbushur me civilë. Pamë shumë të plagosur që po evakuoheshin”, tha një rezident për rrjetin Al Jazeera, teksa rrobat i kishte të përgjakura.

Disa shpërthime të tjera dëgjoheshin në Gaza, teksa dronët izraelitë të zbulimit silleshin mbi qytetin e rrethuar.

Sulmet ajrore goditën dhe në zonat jugore Khan Younis e Rafah, si dhe al-Shuja’iya, shkruan rrjeti i Katarit.

Zhvillimi vjen pas disa ditë tensionesh me grupin militant dhe arrestimin e liderit palestinez  Bassam al-Saadi në qytetin e pushtuar të Bregut Perëndimor, Xhenin.

Zhvillimi vjen gjithashtu pas disa ditë mbylljesh të kufijve, përfshi dhe kalimin komercial të  Karam Abu Salem nga ku vjen karburanti për centralin e vetëm elektrik të Gazas.

Në një deklaratë ‘Xhihadi Islamik’ tha: “Armiku ka nisur një luftë duke sulmuar njerëzit tanë, prandaj kemi për detyrë të mbrojmë vetën dhe popullin tonë. Me veprimet e tij armiku kërkon të dekurajojë rezistencën tonë kombëtare”.

Izraeli ka mbyllur kësaj jave rrugët rreth Gaza dhe ka ngritur një seri përforcimesh për të parandaluar reagime pas arrestimit të një zyrtari të lartë të militantëve të hënën në Bregun Perëndimor.