521 vjet nga  krijimi i “Statujës së Davidit” nga Mikelanxhelo

by admin
Spread the love

TIRANA, 16 gusht /ATSH/ – Plot 521 vjet më parë si sot, saktësisht më 16 gusht të vitit 1501,  Mikelanxhelo (1475-1564) u pajtua dhe u autorizua për realizimin e asaj që do të ishte njëra prej kryeveprave të tij më të famshme, siç është “Statuja e Davidit”.

Skulptura prej mermeri, 5.17 metra e lartë, ngrihet sot me gjithë madhështinë e saj të përjetshme në muzeun e artit “Galeria e Akademisë së Firences”, në Itali.

Shumë artistë të tjerë para dhe pas Mikelanxhelos kanë përshkruar me realizimet e tyre vrasësin biblik të gjigantit Goliad, ndër ta Donatello (1386-1466), dhe Gian Lorenzo Bernini (1598-1680).

Mikelanxhelo ishte një skulptor, piktor, arkitekt dhe poet italian i Rilindjes. I lindur në republikën e atëhershme të Firences, vepra e Mikelanxhelos pati ndikim të jashtëzakonshëm në zhvillimin e artit perëndimor, veçanërisht në zhvillimin e nocioneve të Rilindjes për humanizmin dhe natyralizmin.

Protagonist i Rilindjes italiane dhe europiane ai vlerësohet si një nga artistët më të mëdhenj të të gjitha kohërave.

Në tërësi, Mikelanxhelo ishte një artist sa gjenial, po aq dhe i trazuar. Emri i tij është i lidhur me një sërë veprash që kanë hyrën në historinë e artit botëror, disa prej të cilave të njohura si ndër më të rëndësishmet e artit perëndimor.

Statuja e Davidid, “Pietà”, Kupola e Shën Pjetrit si dhe cikli i afreskeve në “Cappella Sistina” konsiderohen arritje të pakrahasueshme të gjenisë krijuese të Mikelanxhelos.

/u.sh/

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

You may also like