30 minuta të çmendura në Salernitana-Spezia, Manaj gjen rrugën e rrjetës

by admin
Spread the love

Paqe midis Salernitanës dhe Spezias në javën e 24-t të Serie A. Takimi përfundoi me rezultatin 2-2 ndërkohë që golin e parë për Spezian e shënoi sulmuesi i kombëtares shqiptare, Rey Manaj me 11-metërsh.

Pjesa e parë nisi me një ritëm të çmendur në “Stadio Arechi” me vendasit që gjetën rrugën e rrjetës që në minutën e tretë. Simone Verdi i siguroi vetes një debutim ëndrrash pasi gjeti rrugën e rrjetës me një gol nga goditja e dënimit.

Megjithatë, avantazhi i vendasve zgjati vetëm 9 minuta. Një prekje e topit me dorë në zonën e Salernitanës detyroi arbitrin të bënte me shenjë nga pika e bardhë e 11-metërshit. Përsipër e mori sulmuesi i kombëtares shqiptare, Rey Manaj që e çoi portierin në krahun e kundërt të topit duke realizuar golin e baraspeshës.

Salernitana do të kalonte sërish në avantazh, dhe përsëri ishte Simone Verdi që shënoi një supergol nga goditja e dënimit. Goli i dytë personal për italianin në debutimin e tij, dhe goli i dytë nga goditja e dënimit në këtë ndeshje.

Spezia do të gjente golin e baraspeshës në minutën e 30-të përsëri nga një 11-metërsh. Rey Manaj i shpëtoi mbulimit të mbrojtësve kundërshtarë në zonë pas krosimit të Verde, por goditja e tij u ndal në dorën e Mousset. Nga pika e bardhë e penalltisë këtë herë ishte Verde që shënoi edhe golin që e çoi rezultatin në 2-2.

Edhe në pjesën e dytë u krijua ideja se do të kishte një ritëm njësoj si në të parën. Salernitana iu afrua golit që në sekondat e para, por Kastanos nuk u koordinua si duhej duke mos e goditur dot topin nga shumë pranë portës.

Më pas, ritmi ra ndjeshëm dhe të dyja ekipet u përpoqën të menaxhonin pikën e mundshme nga ky takim. Rey Manaj u përpoq disa herë për të kaluar Spezian në avantazh, ndërsa në një rast nga goditja e dënimit, topi kaloi shumë pranë traut të portës.

Megjithatë, të dyja ekipet ndanë nga një pikë në fundin e takimit. Spezia qëndron në vendin e 15 në kuotën e 26 pikëve, ndërsa Salernitana e vendit të fundit regjistron vetëm 11 pikë. /oversport.tv

SERIE A – JAVA 24
Salernitana-Spezia 2-2
Shënues:
Verdi 3’, 16’ / Manaj (pen) 12’, Verde (pen) 30’

You may also like