Çfarë do të ndodhë kur Kina të udhëheqë botën

Nga Michael Schuman “The Atlantic”

Çfarë lloj superfuqie do të jetë Kina? Kjo është pyetja kryesore e këtij shekulli. Sipas udhëheqësve amerikanë, si për shembull Sekretarit amerikan të Shtetit Majk Pompeo,

Kina do të jetë një superfuqi e vrazhdë dhe autoritare, që do të synojë të shkatërrojë vetë demokracinë. S’ka nevojë të thuhet që vetë Pekini nuk bie dakord me këtë përcaktim

Për fatin e mirë të atyre që kërkojnë përgjigje për këtë pyetje, Kina ka qenë një fuqi kryesore për periudha të gjata të historisë, dhe politikat e jashtme dhe praktikat e dinastive të saj të mëdha, mund të na ofrojnë një lloj perspektive mbi mënyrën se si udhëheqësit e sotëm kinezë, mund të përdorin fuqinë e tyre të zgjeruar sot dhe në të ardhmen.

Kina nuk do të jetë një fuqi paqësore

Në fjalimin e mbajtur së fundmi në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, presidenti kinez, Xi Jinping, përsëriti pretendimin e deklaruar të Pekinit se Kina është e përkushtuar për një zhvillim paqësor. Ndërkohë ekziston një mendim i përhapur, se edhe perandorët kinezë dikur e shmangnin përgjithësisht përdorimin e forcës.

Është sigurisht e vërtetë që për periudha të gjata kohore, dinastitë kineze patën marrëdhënie të qëndrueshme me disa nga fqinjët e tyre të Azisë Lindore. Ndryshe nga Evropa, ku monarkitë konkurruese ishin thuajse vazhdimisht në luftë kundër njëra-tjetrës.

Kinezët e sotëm, kanë qejf të krahasojnë aventurat brutale koloniale evropiane, me udhëtimet e admiralit kinez Zheng He dhe të flotës së tij përtej Oqeanit Indian në shekullin XV, pa pushtuar askënd. Por kjo pamje e çuditshme e pacifizmit kinez, injoron faktin që dinastitë kineze ishin thuajse vazhdimisht në luftë.

Sigurisht, shumë nga ato luftëra ishin të natyrës mbrojtëse, kryesisht kundër fiseve veriore. Por në kulmin e fuqisë së tyre, perandorët ishin gjithashtu ekspansionistë shumë agresivë. Dinastia Han dhe ajo Tang, patën ushtri që marshuan nga Azia Qendrore në Gadishullin e Koresë. Dinastia Song zhvilloi luftëra për territor me shtetet rivale. Ndërsa dinastia Qing sulmoi dhe pushtoi Tibetin dhe Xinjiangun e sotëm.

Kina do të këmbëngulë në ndërtimin e rendit të saj botëror

Shtetet që Kina nuk mund t’i pushtonte, u bënë pjesë e botës kineze përmes një sistemi të diplomacisë dhe tregtisë, që e kontrollonin perandorët kinezë. Qeveritë e tjera, pritej t’i paguan një haraç oborrit mbretëror kinez, si simbol i njohjes së epërsisë kineze.

Rendi i ndërtuar nga kinezët u sfidua rrallë nga shtetet e Azisë Lindore. Ndryshe nga Evropa, ku shtetet me forcë afërsisht të ngjashme rivalizonin për territor, tregti dhe ndikim, Kina nuk kishte rivalë të vërtetë. Në përgjithësi, fqinjët e saj e pranuan dominimin kinez, dhe ndoqën rregullat e saj.

Por kur Kina përballej me një sfidë, ajo mund të përdorte forcën. Për shembull dinastitë Sui dhe Tang, shpenzuan dekada të tëra në përpjekje për të shkatërruar mbretërinë e fortë Kogurjo në Kore. Zheng He, admirali në dukje paqësor, nisi një ekspeditë ushtarake në ishullin Sumatra kundër mbretit vendas, deri dje një vasal i kinezëve.

Prandaj, ndërsa Xi tha para OKB-së në shtator se Pekini “nuk do të synojë kurrë hegjemoni, zgjerim ose sferë ndikimi”, historia sugjeron që Kina do të përdorë forcën ose imponimin kundër vendeve të tjera kur ato do ta kundërshtojnë fuqinë kineze. Kjo ka pasoja direkte për Vietnamin dhe vendet e tjera të Azisë Juglindore, që kundërshtojnë pretendimet e Kinës në gati të gjithë Detin e Kinës Jugore dhe mbi Tajvanin, të cilin Pekini e sheh si një provincë rebele.

Ka edhe shenja që me zgjerimin e fuqisë, kinezët do të imponojnë aspekte të rendit të vjetër perandorak. Për shembull kur vendet sfidojnë direktivat e Pekinit, atyre u mohohet qasja në projektin e Brezit dhe Rrugës, apo u vendosen embargo për eksportet dhe importet nga Kina dhe drejt Kinës.

Kina do të eksportojë vlerat e saj

Ndryshe nga SHBA-ja, me zellin e saj misionar për të çuar formën e saj të lirisë tek të gjithë, Kina nuk duket aq e interesuar për të ndryshuar botën, por thjesht të fitojë para prej saj. Dhe këtu ka një të vërtetë. Kinezët janë po aq të lumtur t’i shesin rrjetit 5G të kompanisë Huauei, si Rusisë autokratike ashtu edhe Gjermanisë demokratike.

Megjithatë, historikisht, kinezët kanë besuar se kultura e tyre kishte një fuqi transformuese. Ajo mund ta ndryshonte barbarinë në civilizim. Vetë Konfuci mendonte kështu. Kinezët e kuptuan që herët lidhjen midis kulturës dhe fuqisë. Popujt e tjerë e shihnin natyrshëm Kinën si një model,pasi ajo ishte shoqëria më e përparuar në Azinë Lindore.

Ato huazuan prej saj kodet ligjore dhe institucionet qeverisëse, stilet artistike dhe letrare, dhe më së shumti germat kineze. Kjo lidhje e përbashkët kulturore, e ruajti ndikimin kinez në rajon edhe kur vetë vendi ishte dobësuar politikisht. Xi e di mirë këtë, dhe ai synon të ndërtojë fuqinë e butë të Kinës përmes promovimit të vlerave kineze, të vjetra dhe të reja.

Kina toleron vetëm marrëdhëniet, ku ajo mund të dominojë

Edhe në antikitet, kinezët e konsideronin veten më të mirë sesa popujt e tjerë, pasi besonin se civilizimi i tyre ishte tamam civilizim. Kjo formoi bazën e një botëkuptimi, në të cilin kinezët ishin në krye të hierarkisë. Ata nuk besonin në marrëdhënie të barabarta, të paktën në terma zyrtarë ose ideologjikë.

Rendi i tyre botëror, me rregullat dhe normat e tij, bazohej në parimin e epërsisë kineze, dhe pranimin e asaj epërsie nga të gjithë të tjerët. Tradicionalisht, kur kinezët u detyruan të rinin në një pozitë varësie apo edhe të barabartë me një fuqi tjetër, për shkak të dobësisë ushtarake, ata e kundërshtonin këtë gjë, dhe kur ishin mjaftueshëm të fortë, përpiqeshin të rikonfirmonin dominimin e tyre të zakonshëm.

Dhe kjo gjë po ndodh përsëri sot. Duke analizuar ato që kinezët i konsiderojnë poshtërimet e shkaktuara nga fuqitë perëndimore – nga Lufta e Opiumit tek ato që kinezët i quajnë traktate “të pabarabarta” që shkatërruan sovranitetin e tyre – Kina është tani në misionin e vet për të rifituar epërsinë.

Siç e tha Xi, vendi “nuk do të tolerojë më kurrë më të ngacmohet nga asnjë vend”. Ky është qëllimi që qëndron prapa shumë prej politikave të tij aktuale, nga forcimi i konsiderueshëm i aftësive ushtarake, deri tek programet e financuara nga shteti që synojnë të ndihmojnë Kinën t’ia kalojë Perëndimit në fushën e teknologjisë.Tiranatoday

Leave a Reply