Teknika e re mjekësore zbulon kancerin 4 vjet para se të shfaqet

Një teknikë e re e testimit të gjakut ka arritur të zbulojë pesë forma të zakonshme të kancerit katër vjet më herët se teknikat tradicionale.

Kjo tregohet nga hulumtimi ndërkombëtar i botuar në Nature Communications dhe i koordinuar nga Universiteti i Kalifornisë në San Diego. Teknika, e quajtur PanSeer, zbulon në 91% të rasteve tumoret e hershme të stomakut, ezofagut, kolorektalit, mushkërive dhe mëlçisë te njerëzit pa simptoma, dhe në të ardhmen mund të hynte në rutinën e analizave të kontrollit.

Koordinuar nga Kun Zhang, nga Universiteti i Kalifornisë në San Diego, testi premton të ketë pasoja të rëndësishme në mbijetesën e pacientëve me kancer falë diagnozës shumë të hershme, e cila lejon të ndërhyhet me ilaçe ose kirurgji kur tumori është në fillesat e tij.

“Ajo që zbulon testi janë shenjat jashtëzakonisht të hershme të një ndryshimi që ndodh në mënyrën e kopjimit të ADN-së.”-thonë ekspertët.

Teknika u testua në 605 individë asimptomatikë, 191 prej të cilëve u diagnostikuan më vonë me kancer.

Në këto teste u shtuan ato të kryera në mbi 223 persona me kancer dhe 200 inde tumori. Rezultati ka qenë inkurajues sepse ka treguar se mund të bëjë një diagnozë për pesë forma të zakonshme të kancerit të hershëm.

Leave a Reply