Kush e institucionalizoi Teatrin shqiptare të fëmijëve në Shkup?

Miratimi i vendimit për institucionalizimin e Teatrit të Fëmijëve i ka vendosur në garë partitë politike se cila do t’i merr meritat për këtë arritje.

I pari që uroi, ishte Muhamed Zekiri nga LSDM.

“Qeveria sot mori vendimin për themelimin e Teatrit Shqiptarë pët Fëmijë dhe të Rinj- Shkup.
Urime të gjithëve dhe posaçërishtë për inicijativen dhe realizimin e ides dhe dëshirës shumë vjeçare të aktorit tonë të njohur Bajrush Mijaku dhe Besfort Idrizit!!!”, shkroi deputeti i LSDM-së, Muhamed Zekiri.

Pas tij ministri i Kulturës, Hysni Ismaili nga “Alternativa.

“Me iniciativën tonë si “Alternativë” dhe si Ministri e Kulturës, sot më në fund arritëm të realizojmë një qëllim madhor, me çka si qeveri sollëm vendim për themelimin e Teatrit Shqiptarë për Fëmijë dhe të Rinj- Shkup”, theksoi Hysni Ismaili nga Alternativa.

Uroi edhe sekretari shtetëror i Ministrisë së Kulturës, Valmir Aziri nga BDI.

“Sot Qeveria e Maqedonisë së Veriut në mbledhjen e saj të rregullt të 172-të, krahas vendimeve tjera themeloi edhe Teatërin Shqiptar për Fëmijë dhe të Rinjë! Me vendëndodhje në rrugën “Evlija Çelebija” nr.1 në Çair të Shkupit! Ti gëzojm institucionet, me pak bajraktarizma më shumë mendësi institucionale!”, tha Valmir Aziri nga BDI.

Por, institucionalizimi i Teatrit të Fëmijëve vjen pas dy dekadash funksionim të Qendrës Teatrore të Fëmijëve dhe dy vjetësh funksionim të Institucionit Publik “Teatri i fëmijëve – Shkup” që u themelua me vendim të Këshillit të Komunës së Çairit. Udhëheqësi e këtyre dy institucioneve, Bajrush Mjaku thotë se institucionalizimi i këtij teatri vjen pas një mundi të gjatë.

“Kemi pasur qendër teatrore për fëmijë prej vitit 2000 apo në funksion të shfaqjeve të fëmijëve prej vitit 2002, pastaj u ndi nevoja, meqë nuk kishim përkrahje financiare nga askush për të mirëmbajtur objektin, të sillet një vendim në nivel të Këshillit të Komunës së Çairit e cila para dy vjetësh themeloi Teatrin për Fëmijë – Çair me të vetmin qëllim që të mund të barten mjete, ta përkrahin këtë ide që të mund të funksionojë teatri apo ky objekt. Sepse, për mirëmbajtje sado kudo do të duhej 20 – 25 mijë euro para të cilat unë nuk i kisha. Deri më tani kanë ekzistuar dy qendra kulturore, ndërsa tani me institucionalizimin që u jam mirënjohës qeveritarëve dhe me atë do të kemi një teatër me kompetenca nacionale, Teatër për fëmijë dhe të rinj në shqip”, u shpreh Bajrush Mjaku, udhëheqës i Teatrit të fëmijëve.

Ndërkaq kryetari i Komunës së Çairit, Visar Ganiu deklaroi se Institucioni Publik në kuadër të tyre nuk do të funksionojë më, sepse ai do të kalojë në institucion shtetëror me të cilin do të menaxhojë Ministria e Kulturës.

“Ky institucion është themeluar në kuadër të Komunës qysh kur ka qenë kryetar zotëri Izet Mexhiti. Me vetiniciativë të komunës së çairit dhe njerëzve të artit dhe të dramaturgjisë që është Bajrush Mjaku. Ata bashkërisht kanë vendosur që këtë objekt që është përdorur për gjëra destruktive, ta shndërrojnë në institucion kulturor. Të gjithat harxhimet për të funksionuar ky institucion i ka mbuluar komuna e Çairit”, deklaroi kryetari i Komunës së Çairit, Visar Ganiu.

Kohë më parë partitë u përplasen edhe për Teatrin Shqiptar të Shkupit i cili ende po pret prerjen e shiritit pas rikonstruimit 5-vjeçar. Ky vendim i Qeverisë do ta hapë rrugën për formim të trupës teatrore dhe për realizim të punësimeve. Në objektin e Qendrës Teatrore të Fëmijëve 5 vitet e fundit shfaqje kanë mbajtur kohë pas kohe edhe Teatri i Shkupit.

Leave a Reply