150 vjet nga lindja e Asdrenit, krijuesit të “Himnit të Flamurit”

by admin
Spread the love

Sot janë bërë 150 vjet nga lindja e Aleksandër Stavre Drenova i njohur me nofkën Asdreni, autori i “Himnit të flamurit”, që është himni kombëtar i Shqipërisë.

Asdreni ka qenë poet, publicist dhe veprimtar i kolonisë shqiptare të Bukureshtit. Ai ka lindur më 11 prill 1872 në Drenovë.

Vjeshtën e vitit 1885, me dy vëllezërit më të mëdhenj shkoi në Bukuresht. Punoi në fillim si qymyrxhi e çirak, më pas ndoqi studimet në mënyrë private dhe për një kohë të shkurtër pranë Fakultetit të Shkencave Politike të Universitetit të Bukureshtit. Në janar 1899, qe ndër themeluesit e Qarkut të studentëve shqiptarë, i cili në mars 1902 u shndërrua në shoqëri me emrin Shpresa, e themeluar nga Asdreni dhe nga shoku i tij shkrimtar Kristo Dako.

Në vitin 1906 u bë kryetar i degës së re të shoqërisë “Dija” në kryeqytetin rumun, shoqëri e cila qe themeluar së pari në Vjenë.

Asdreni nisi të shkruajë poezi dhe të botojë artikuj që në fillim të shekullit XX. Në vitin 1904 botoi në Bukuresht përmbledhjen e tij të parë me 99 vjersha, “Rrez dielli”.

Më 1912 botoi vëllimin e dytë “Ëndrra e lot”në Bukuresht , përmbledhje, po me 99 vjersha si e para, ndërkaq në vitin 1930 botoi vëllimin e tretë poetik “Psalme Murgu”, po në kryeqytetin rumun.

Vdiq  më 11 dhjetor 1947, në moshën 75-vjeçare.

Më poshtë gjeni “Himni i Flamurit”:

Rreth flamurit të përbashkuar
Me një dëshir` e një qëllim,
Të gjith` atij duk` ju betuar
Të lidhim besën për shpëtim.
Prej lufte veç ai largohet
Që është lindur tradhëtor,
Kush është burrë nuk friksohet,
Po vdes, po vdes si një dëshmor!

Në dorë armët do t`i mbajmë
Të mbrojmë atdhenë më çdo kënd,
Të drejtat tona ne s`i ndajmë;
Këtu armiqtë s`kanë vend.
Se Zoti vetë e tha me gojë
Që kombet shuhen përmbi dhe,
Po Shqipëria do të rrojë;
Për të, për të luftojmë ne!

O flamur, flamur, shenj` e shenjtë,
Te ty betohemi këtu,
Për Shqipërin` atdhen` e shtrenjtë,
Për nder` edhe lavdimn` e tu.
Trim, burrë quhet dhe nderohet
Atdheut kush iu bë theror;
Për jet` ai do të kujtohet
Mbi dhe, nën dhe si një shenjtor!

You may also like