Shefi i grupit parlamentar i LDK-së, Arben Gashi, ka thënë se ambasadori Martin Berishaj s’mund të hetohet as nga Sllovenia e as nga Kroacia, pasi siç tha ai, ka imunitet diplomatik.
Në seancën e sotme, Gashi kërkoi të dijë se si e ka kaluar Berishaj verifikimin e sigurisë dhe si e ka marr certifikatën e sigurisë.
“Po më pëlqen modernizimi i ministres Haxhiu e cila po thotë ta presim drejtësinë, por po harron që ajo ka quajtur njerëz kriminel pa fakte, fëmijët e tyre, dajtë e tezet e krejt kriminela i ka quajtur, por shumë mirë e përgëzoj për këtë. Po thotë që Kroacia dhe Sllovenia do ta hetojnë, ata s’mund ta hetojnë sepse Berishaj ka imunitet diplomatik, problemi tjetër është a e ka kaluar verifikimin e sigurisë ky zotëriu, a ekzistojnë këto kompani në emër të tij dhe a janë aktive. A kanë ndodhur këto transaksione. Para se me marr shtetësinë e Kosovës, AKI-ja a e ka dhënë mendimin e vet për këtë person, para se me u bë ambasador a e ka marr certifikatën e sigurisë. Kjo s’ka të bëjë me raportet e politikës së brendshme të Sllovenisë. Kush është ky njeri?”, tha Gashi, njofton Klankosova.tv.