Glauk Konjufca, kryetar i Kuvendit të Kosovës, u deklarua i pafajshëm lidhur me akuzën se në gusht të 2016-ës, në cilësinë e deputetit, ka hedhur gaz lotsjellës në sallën e Kuvendit dhe ka penguar personat zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare.
“Për këtë që më akuzoni ndjehem plotësisht i pafajshëm”, tha Konjufca.
Një deklarim të tillë, Konjufca e ka dhënë të martën në seancën fillestare pas leximit të aktakuzës nga prokurori Besart Mustafa, raporton “Betimi për Drejtësi”.
“Veprimi im ka qenë në atë kohë, gati para 6 vjetëve, plotësisht politik dhe konsideroj që për veprimin që e kam bërë e kam ndierë veten të obliguar që ta bëj dhe kjo thirrje më ka ardhur edhe prej betimit që e kam bërë si deputet i Kosovës, me ç‘rast kur jam betuar, kam deklaruar që me çdo kusht dhe me çdo mjet do ta mbroj sovranitetin dhe integritetin e Republikës se Kosovës”, shtoi ai gjatë deklarimit të tij rreth fajësisë.
Më pas, gjykatësja e rastit, Edita Çanta, e ka njoftuar Konjufcën me të drejtën se, brenda afatit prej 30 ditësh, mund të paraqesë kërkesë për kundërshtim të provave dhe hedhje të aktakuzës, shkruan Betimi për Drejtësi.