UASHINGTON, 11 prill /ATSH-DPA/ – Sipas një raporti të ri të Bankës Botërore, prodhimi ekonomik i Ukrainës pritet pothuajse të përgjysmohet këtë vit në krahasim me vitin 2021 për shkak të pushtimit rus.
”Produkti i Brendshëm Bruto (PBB) nga viti në vit parashikohet të bjerë me rreth 45,1%”, theksoi banka duke shtuar se ”madhësia eventuale e rënies ekonomike të vendit do të varet përfundimisht nga kohëzgjatja dhe intensiteti i luftës”.
Pushtimi filloi më 24 shkurt.
Në janar, Banka Botërore parashikoi rritje ekonomike prej rreth 3% për Ukrainën këtë vit.
Rënia aktuale e pritshme ekonomike do të ishte dyfishi i tkurrjes që goditi vendin në vitin 2020 për shkak të pandemisë së koronavirusit.
“Pushtimi rus po i jep një goditje të rëndë ekonomisë ukrainase dhe ka shkaktuar dëme të mëdha në infrastrukturë”, tha Anna Bjerde, zëvendëspresidente e Bankës Botërore për Evropën dhe Azinë Qendrore.
Bjerde tha se vendi ka nevojë për ndihmë të menjëhershme për të stabilizuar ekonominë e tij dhe për të ndihmuar ukrainasit.
Raporti thekson se lufta ka shkatërruar gjithashtu një pjesë të madhe të infrastrukturës prodhuese të Ukrainës, përfshirë hekurudhat, urat, portet dhe rrugët, që do të thotë se aktiviteti ekonomik është bërë i pamundur në pjesën më të madhe të vendit./ /os/