PARIS, 7 prill /ATSH-DPA/ Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë (IEA) deklaroi sot se anëtarët e saj do të lirojnë 120 milionë fuçi të tjera naftë bruto nga rezervat, gjatë gjashtë muajve të ardhshëm për të zbutur ndikimin e luftës ruse në Ukrainë në tregje.
Plani u zotua nga 31 anëtarët e IEA-s dhe kjo është sasia më e madhe në historinë e organizatës me seli në Paris.
Ky është lirimi i dytë i rezervave nga IEA që nga shpërthimi i luftës më 24 shkurt. Herën e parë u liruan 62.7 milionë fuçi nafte bruto, në fillim të marsit.
Anëtarët e IEA-s kanë rezerva emergjente që arrijnë në 1.5 miliardë fuçi naftë.
Një fuçi, sipas standardit të industrisë, përmban 159 litra naftë.
“Vendimi pasqyron vendosmërinë e vendeve anëtare për të mbrojtur ekonominë globale nga ndikimi social dhe ekonomik i luftës ruse në Ukrainë”, tha drejtori ekzekutiv i IEA-s Fatih Birol. //a.i/