BRUKSEL, 26 mars /ATSH-DPA/- Komisioni Evropian publikoi sot udhëzimet të cilat duhet të zbatohen nga platformat e mëdha si X, dikur Twitter dhe Meta të lidhura me trajtimin e dezinformimit gjatë zgjedhjeve të këtij viti.
Akti i Shërbimeve Dixhitale të Bashkimit Evropian (DSA) kërkon që platformat e mëdha të menaxhojnë rrezikun për dëmtimin e procesit zgjedhor, ndër të tjera.
DSA i lejon komisionit të gjobisë platformat deri në 6% të të ardhurave të tyre globale nëse ato nuk arrijnë t’i trajtojnë në mënyrë adekuate rreziqet e tilla.
Zgjedhjet për Parlamentin Evropian do të zhvillohen në qershor dhe zgjedhjet kombëtare janë caktuar këtë vit në Sllovaki, Lituani, Belgjikë, Kroaci, Austri dhe Rumani.
Udhëzimet e reja thonë se platformat duhet t’i kushtojnë vëmendje të veçantë përdorimit të inteligjencës artificiale (IA) nëse krijohen përmbajtje të rreme.
Ata u bëjnë thirrje platformave për të ngritur ekipe të brendshme për të monitoruar rreziqet lokale dhe për të përshtatur përpjekjet e tyre për çdo zgjedhje dhe vend specifik.
Megjithëse DSA kërkon që platformat të zbusin rrezikun e “efekteve negative” në zgjedhje, ajo nuk thotë se duhet të heqin dezinformimin.
Shumica e platformave të mëdha kanë nënshkruar një kod praktik vullnetar mbi dezinformimin, i cili thekson që sistemet e tyre të mos promovojnë përmbajtje mashtruese ose ta shpërblejnë atë me të ardhura nga reklamat.
X u tërhoq nga kodi në maj të vitit të kaluar. Komisioni hapi një hetim për X në dhjetor për shkelje të mundshme të DSA-së.
Rregullat për zbutjen e rrezikut të DSA zbatohen për platformat me më shumë se 45 milionë përdorues në muaj, dhe hynë në fuqi në gusht 2023. //a.i/