UASHINGTON, 16 shkurt /ATSH-ANSA-AFP/ – Rusia është përgjegjëse për vdekjen e Navalnyt, tha sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken.
”Vdekja e tij është një provë se sistemi i Putinit është i dobët dhe i kalbur”, theksoi ai.
Opozitari i njohur rus dhe kundërshtari numër një i Kremlinit, Alexei Navalny, vdiq sot në një burg të Arktikut, ku po vuante dënimin me 19 vjet burg, njoftuan shërbimet e burgut, FSIN.
”Më 16 shkurt 2024, në qendrën e vuajtjes së dënimit nr. 3, i burgosuri Navalny A.A. u ndje keq pas një shëtitje (…) po përcaktohen shkaqet e vdekjes”, tha në një njoftim për shtyp FSIN, i rajonit të Arktik, Iamal.
”Janë kryer të gjitha masat e nevojshme për reanimacion, por nuk kanë dhënë rezultat pozitiv. Mjekët e urgjencës kanë konstatuar vdekjen e pacientit. Po përcaktohen shkaqet e vdekjes”, shtohej në komunikatën për median.
Aktivisti 47-vjeçar po vuante një dënim me 19 vjet burg për “ekstremizëm” në një qendër të largët penale të Arktikut, në kushte shumë të vështira./ a.jor.