Atalanta merr triumfin e dytë radhazi në kampionat. Skuadra e drejtuar nga Gasperini fitoi 4-1 në Bergamo, në një sfidë që nisi me “malore”.
Mysafirët realizuan gol që në minutë ne 10-të me Pirola-n, duke lëshuar sinjale të qarta se në Gewiss Stadium, Candreva me shokë nuk kishin ardhur thjeshtë për shëtitje.
Atalanta u fut në pjesën e dytë me tjetër marsh dhe përmbysi llogaritë. Muriel vendosi përkohësisht ekuilibrat, përpara se Pasalic të kalonte skuadrën e tij në avantazh për herë të parë në këtë sfidë.
Në minutat e fundit, Atalanta “tundi rrjetën” edhe dy herë të tjera, përkatësisht me De Ketelaere dhe Miranchuk. Mbrojtësi i Kombëtares së Shqipërisë, Berat Gjimshiti ishte titullar në këtë takim, ku luajti plot 90 minuta. Në ndeshjen e radhës, Atalanta përballet me Bolognan në “D’All Ara”, ndërsa Salernitana pret Milanin.