TIRANË, 24 prill /ATSH/ – Spanja është gati të zhvarrosë eshtrat e një lideri fashist që frymëzoi diktaturën e Francisco Franco, sipas BBC.
José Antonio Primo de Rivera themeloi lëvizjen “Falange” dhe eshtrat e tij prehen në një mauzoleum gjigant të krijuar nga ish-regjimi fashist, jashtë Madridit.
Ai ishte çelësi i kryengritjes së gjeneral Francisco Franco që shkaktoi luftën civile spanjolle në vitet 1936-1939.
Trupi i tij do të zhvendoset në varrezat “San Isidro” të Madridit, pjesë e një aksioni qeveritar kundër simboleve të fashizmit.
Varri i José Antonio Primo de Rivera ndodhet pranë altarit në një bazilikë në Luginën e të Rënëve, mauzoleumi i Francos, tani i riemërtuar si “Lugina Cuelgamuros”.
Eshtrat e Francos u hoqën prej andej në vitin 2019, gjë që zemëroi aktivistët e ekstremit të djathtë, të cilët e ruajnë ende kujtimin e tij.
Bazilika qëndron pranë një faqeje shkëmbi, në krye të një kryqi gjigant, një pikë referimi që dominon peizazhin përreth.
Të burgosurit republikanë antifashistë u detyruan të ndërtonin memorialin.
Rivarrimi është pjesë e përpjekjes së qeverisë së majtë për të ndaluar nderimin e fitores së luftës civile fashiste ose të diktaturës se Francisco Franco.
Vendi i mauzoleumit po shndërrohet në një memorial që nderon të gjitha viktimat e luftës, jo vetëm fashistët.
Shumë viktima republikane të së majtës u varrosën në varre masive të pashënuara dhe shumë të afërm po përpiqen ende t’i lokalizojnë. //a.i/