KOPENHAGË, 6 shkurt /ATSH-DPA/- Qeveria e Norvegjisë njoftoi sot planin për të ofruar mbështetje financiare afatgjatë për Ukrainën e shkatërruar nga lufta me donacione vjetore prej 15 miliardë korona norvegjeze (1.5 miliardë dollarë) për pesë vitet e ardhshme.
“Paketa e mbështetjes prej 75 miliardë korona ishte pjesërisht për të treguar një mbështetje afatgjatë për popullin ukrainas dhe pjesërisht për t’i treguar Rusisë se vendet e lira dhe demokratike janë në anën e Ukrainës” tha sot në Oslo kryeministri, Jonas Gahr Store.
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky shprehu mirënjohjen e tij për mbështetjen e propozuar.
“Ky është një kontribut i rëndësishëm për fitoren ndaj agresorit dhe për rindërtimin e suksesshëm”, shkroi Zelensky në Twitter.
“Gjysma e donacionit të këtij viti do të shkojë për ndihmën ushtarake dhe gjysma për ndihmën humanitare. Shpërndarja mund të ndryshojë në vitet e ardhshme”, tha ai.
Në lidhje me paketën e ndihmës, qeveria norvegjeze po propozon një program të veçantë të ndihmës për vendet jugore më të industrializuara, që kanë vuajtur veçanërisht nga pasojat e luftës.
Sipas këtij programi, 5 miliardë korona shtesë janë caktuar për ndihmën humanitare dhe ushqimore në këto vende.
Store shpreson të fitojë një shumicë të gjerë parlamentare për këto propozime.
Ish-kryetarja e qeverisë Erna Solberg, udhëheqësja e Partisë Konservatore më të madhe opozitare, sinjalizoi sot mbështetjen e saj për ndihmën afatgjatë për Ukrainën.//a.i/