Zyrtarët trajtojnë çështje të sigurisë në rast të një aktakuze ndaj ish-Presidentit Trump

by admin
Spread the love

Zyrtarët e zbatimit të ligjit në Nju Jork po bëjnë përgatitje që lidhen me sigurinë, në rast të ngritjes së një padie ndaj ish-Presidenti Donald Trump në javët e ardhshme, dhe daljes së tij përpara një gjykate në Manhatan, në kuadër të një hetimi lidhur me pagesat e bëra ndaj dy grave, që pretendojnë se kanë pasur marrëdhënie seksuale me zotin Trump.

Ky zhvillim u bë i ditur të premten, nga katër zyrtarë të zbatimit të ligjit.

Deri tani nuk ka patur asnjë njoftim publik se kur juria e madhe mund të zhvillojë një votim rreth asaj nëse duhet apo jo të ngrihet një padi ndaj ish-presidentit.

Zyrtarët e zbatimit të ligjit, të cilët nuk ishin të autorizuar të flisnin publikisht, biseduan me agjencinë e lajmeve ‘Associated Press’ në kushte anonimiteti. Ata thanë se autoritetet thjesht po përgatiten në rast të ngritjes së një aktakuze. Ata i cilësuan bisedat si paraprake ndërsa po shqyrtoheshin çështje të sigurisë apo praktika lidhur me paraqitjen e mundshme në gjykatë të një ish-presidenti.

Zyra e Prokurorit të Qarkut në Manhatan dhe avokati i zotit Trump, Joseph Tacopina, nuk bënë asnjë koment.

Juria e madhe ka dëgjuar dëshmitë e disa personave mes tyre ish-avokatin e zotit Trump, Michael Cohen, i cili ka thënë se ishte ai që orkestroi pagesat në vitin 2016 për të siguruar heshtjen e të dyja grave, lidhur me marrëdhëniet seksuale që ato thonë se kanë patur me zotin Trump, një dekadë më parë.

Por vetë ish-presidenti i ka hedhur poshtë këto pretendime, duke thënë se ai nuk ka bërë asgjë të gabuar dhe e ka cilësuar hetimin si një “gjueti shtrigash” nga një prokuror demokrat, i prirur për sabotimin e fushatës presidenciale të republikanëve të vitin 2024.

Demokratët e kanë hetuar dhe sulmuar Presidentin Trump përpara se të zgjidhej dhe në të gjitha rastet ata kanë dështuar”, tha zëdhënësi i fushatës së zotit Trump, Steven Cheung, në një deklaratë të enjten në lidhje me hetimin.

Zyra e Prokurorit të Qarkut të Manhatanit, Alvin Bragg, po shqyrton me gjasë nëse është shkelur ndonjë ligj shtetëror në lidhje me pagesat e bëra dy grave ose lidhur me mënyrën se si kompania e zotit Trump ka kompensuar zotin Cohen, për punën e tij për të garantuar heshtjen e tyre.

Dy ish-ndihmëse të zotit Trump, ish-këshilltarja politike Kellyanne Conway dhe ish-zëdhënësja Hope Hicks, kanë qenë mes dëshmitarëve që janë takuar me prokurorët javët e fundit.

Zoti Cohen ka thënë se me orientimin e zotit Trump, ai pagoi me 280,000 dollarë aktoren e filmave pornografikë Stormy Daniels dhe modelen e Playboy-it Karen McDougal. Sipas zotit Cohen, pagesat u bënë për të blerë heshtjen e tyre për zotin Trump, i cili në atë kohë ishte në kulmin e fushatës së tij të parë presidenciale.

>

Zoti Cohen dhe prokurorët federalë kanë thënë se kompania i pagoi atij 420,000 dollarë në formë rimbursimi për pagesën prej 130,000 dollarësh për zonjën Daniels si dhe për të mbuluar shpenzime të tjera të supozuara. Kompania i klasifikoi ato pagesa si shpenzime ligjore.

Pagesa prej 150,000 dollarësh për zonjën McDougal u bë nga botuesi i atëhershëm i tabloidit ‘National Enquirer’.

Prokurorët federalë ranë dakord të mos ndjekin penalisht kompaninë mëmë të ‘National Enquirer’ në këmbim të bashkëpunimit në një hetim mbi financimin e fushatës, që çoi në ngritjen e akuzave kundër zotit Cohen në vitin 2018. Prokurorët thanë se pagesat për zonjën Daniels dhe zonjën McDougal ishin dhurata të palejueshme nga ligji dhe të paregjistruara, në kuadër të fushatës zgjedhore të zotit Trump.

Zoti Cohen u deklarua fajtor, ai vuajti një dënim me burg dhe iu hoq liçenca e avokatit. Prokurorët federalë nuk e kanë akuzuar ish-Presidentit Trump për ndonjë vepër penale./VOA


Top Channel

You may also like