Zyrtare / Nis nga shtatori i 2023 Nations League për vajza, formati i ri që afron kualifikimin në Europian!

by admin
Spread the love

Liga e Kombeve, kompeticioni i futbollit mes kombëtareve europiane i organizuar nga UEFA, duke nisur nga marsi i vitit 2023, nuk do të luhet më vetëm meshkujt, por edhe nga vajzat. Ekipet kombëtare të vajzave do të vendosen përballë njëra-tjetrës me synimin që të garantojnë një vend në finalet e Kampionatit Europian dhe Kampionatit Botëror, si edhe të pretendojnë trofeun e madh.

Por si do të funksionojë ky kompeticion i ri për vajza?

51 ekipet kombëtare për vajza që do të marrin pjesë do të ndahen në tre Liga, A, B dhe C, ku në Ligën A do të marrin pjesë 16 ekipe, Liga B do të jetë e përbërë po nga 16 ekipe, ndërsa në Ligën C, ku bën pjesë edhe Shqipëria, do të garojnë 19 ekipe. Në secilën prej këtyre ligave, do të krijohen katër grupe, ku skuadrat do të luajnë ndeshjet me sistem vajtje-ardhje. (Liga A dhe Liga B me nga katër grupe me katër skuadra, ndërsa Liga C, katër grupe me katër skuadra dhe një grup me tre skuadra)

Shqipëria do të njohë kundërshtaret e saj më 23 prill të vitit 2023, dita kur do të hidhet edhe shorti, teksa ndeshjet e Ligës së Kombeve për vajza do të nisin nga muaji shtator i vitit 2023 dhe do të zgjasin deri në muajin mars të vitit 2024.  Në bazë të renditjes së UEFA-s, Shqipëria renditet aktualisht e 33-ta në klasifikimin e përgjithshëm dhe për këtë arsye do të jetë pjesë e Ligës C. Në rast të një kualifikimi të Shqipërisë në Ligën B, ekipi kombëtar i vajzave do të marrë pjesë në eliminatoret e vlefshme për Kampionatin Europian për femra 2025.

Formula e eliminatoreve të Kampionatit Europian për vajza ka ndryshuar gjithashtu. Sfidat për kualifikueset e Kampionatit Europian 2025 do të nisin fill pas mbarimit të ndeshjeve të Ligës së Kombeve, në mars të vitit 2024, kur do të përcaktohet edhe renditja e re e ekipeve nëpër grupe dhe do të zgjasë deri në tetor të vitit 2024. Në total, janë 12 ndeshje që ekipet duhet të luajnë në harkun kohor të 13 muajve.

Sipas skemës së përcaktuar nga UEFA, katër ekipet e Ligës B që dalin në krye të grupeve përkatëse dhe skuadra e dytë e renditur më mirë në këtë Ligë do të ngjiten në Ligën A dhe do të kualifikohen direkt në finalet e Kampionatit Europian 2025 për femra, ndërsa katër ekipet e renditura në vend të fundit në Ligën A dhe e treta e renditur me më pak pikë në grupe, do të zbresin në Ligën B.

Kjo është një mundësi shumë e mirë për Shqipërinë e femrave, që vitet e fundit ka njohur rritje dhe ka arritur fitore të rëndësishme. Përmes kësaj skeme të re të UEFA-s, vajzat kuqezi do të kenë më shumë shanse për t’u kualifikuar në finalet e një Kampionati Europian, por edhe Botëror, pasi kjo skemë do të jetë në fuqi edhe për Kualifikueset e Kampionatit Botëror 2027 për femra.

You may also like