Zjarre në Greqi, autoritetet evakuojnë banorët nga zona e Koinirës

by admin
Spread the love

Prej mbrëmjes të së mërkurës po luftojnë me flakët brigadet e zjarrfikësve grekë, në ishullin verior të Egjeut, Thassos, pas një zjarri që shpërtheu në zonën pyjore lefki.

Zjarri ka vazhduar të jetë jashtë kontrollit për të dytën ditë rresht, ndërsa mëngjesin e së enjtes është dhënë urdhër evakuimi i zonës Koinira me një mesazh telefonik nga numri i rasteve urgjente 112.

Sipas zv.guvernatorit të Kavalës, evakuimi është kryer vetëm, për të mbrojtur banorët dhe turistët nga tymi i dendur që mbizotëron në zonë dhe jo sepse zonat e banuara janë në rrezik nga zjarri, ndërsa ka hedhur dyshime të shumta për zjarrvënie pasi zjarri ka nisur nga dy vende të veçanta dhe të afërta, sapo ka rënë nata në një moment kur edhe fuqia e erës ishte e madhe.

Aleksis Politis zv.guvernator i Kavalës:

“Sot po operon një forcë e madhe e zjarrfikësve edhe nga ajri sepse bëhet fjalë për terren malor. Fakti që kemi brenda një jave në të njëjtin vend shpërthim zjarri është tepër shqetësues dhe lind dyshime. Presim të gjithë që grupi hetues i zjarrfikësve të bëjë punën e tij dhe presim me padurim rezultatin. Por nga ana tjetër nuk mund të themi se përse lindin dyshimet për zjarrvënie”.

Më herët kanë mbetur të plagosur lehtë dy zjarrfikës vullnetarë, 26 dhe 44 vjeç, të cilët janë dërguar në qendrën shëndetësore lokale.

Në vendngjarje kanë mbërritur edhe 85 zjarrfikës nga Rajonet e Maqedonisë Qendrore, Lindore dhe Thrakës, që i janë shtuar forcës prej 105 zjarrfikësve të tjerëve që po operojnë me pesë grupe të reparteve të këmbësorisë dhe 33 mjete.

Shtatë avionë tip Canader dhe gjashtë helikopterë janë mobilizuar për shuarjen e zjarrit nga ajri. Kontribut po japin edhe zjarrfikës vullnetarë si dhe njësi të ushtrisë.

Sipas Buletinit Emergjent të parashikimit të Motit nga Shërbimi Meteorologjik Kombëtar për tre ditët e ardhshme parashikohet një mot i paqëndrueshëm në Greqinë qendrore dhe veriore, kryesisht në orët e mesditës dhe pasdites. me reshje të dendura shiu dhe stuhi,  të cilat do të shoqërohen me frekuencë të lartë rrufeje dhe rrjedhimisht rrezik zjarri.

Shërbimi zjarrfikës bën me dije se më shumë se 3800 zjarre në pyje kanë shpërthyer në vend që nga fillimi i sezonit të zjarreve  e deri më sot, nga të cilat 361 në javën e fundit dhe mbi 50, në 24 orët e fundit.

 


Top Channel

You may also like