Zhvillimet e fundit në Ukrainë: Moska, Kievi shkëmbejnë mbi 200 robër lufte

by admin
Spread the love

Zhvillimet më të fundit:

Ukraina dhe Rusia shkëmbyen mbi 200 robër lufte. Disa prej të liruarve thuhet se janë në gjendje të mjeruar dhe do të kenë nevojë për ndihmë të menjëhershme mjekësore.

• Bjellorusia kërkoi garanci sigurie nga Moska. Presidenti Lukashenko kërkon garanci nga Rusia se do ta mbrojë Bjellorusinë në rast sulmi.

• Dy të vrarë në Zaporizhia pasi një sulm ajror rus goditi një ndërtesë banimi në qytetin juglindor të Ukrainës.

Rusia dhe Ukraina kanë shkëmbyer mbi 200 ushtarë në operacionin më të fundit të shkëmbimit të robërve, thanë zyrtarët të hënën.

Ministria ruse e Mbrojtjes tha se 106 ushtarë rusë u liruan nga autoritetet ukrainase, ndërsa Andriy Yermak, shef i kabinetit i Presidentit ukrainas Zelensky, tha se Rusia ka liruar 100 robër ukrainas.

Në njoftimet e palëve nuk jepeshin detaje se si ishte realizuar shkëmbimi. Zoti Yermak tha në rrjetin Telegram se disa prej ushtarëve ukrainas kishin plagë të rënda dhe sëmundje.

Ndërkohë, Presidenti i Bjellorusisë Alexander Lukashenko tha të hënën se vendi i tij ka nevojë për garanci sigurie nga Rusia, sipas agjencisë shtetërore të lajmeve BelTA.

Komentet erdhën ndërsa presidenti Lukashenko priti ministrin rus të Mbrojtjes Sergei Shoigu.

Sipas BelTA, zoti Lukashenko përmendi bisedimet e tij me presidentin rus Vladimir Putin javën e kaluar, duke thënë se të dy udhëheqësit diskutuan nevojën që Rusia të mbrojë Bjellorusinë “si territorin e saj” nëse do të kishte “agresion” ndaj Bjellorusisë.

Zoti Putin u kritikua muajin e kaluar kur njoftoi se Rusia do të vendoste armë taktike bërthamore në Bjellorusi.

Forcat ruse përdorën gjithashtu Bjellorusinë si një zonë për të nisur pushtimin në shkallë të plotë të Ukrainës më shumë se një vit më parë, pasi dy aleatët këmbëngulën se ata po zhvillonin vetëm stërvitje ushtarake pa asnjë plan për një sulm ndaj Ukrainës.

Dy provinca të Ukrainës – Kharkiv në verilindje dhe Zaporizhia në juglindje – u goditën nga raketat ruse dhe zjarr artilerie gjatë fundjavës, njoftoi ushtria ukrainase të dielën.

Sipas agjencisë The Associated Press, Oleksandr Prokudin, guvernatori i rajonit Kherson, tha se avionët luftarakë rusë goditën dy komunitete të dielën vonë, por ai tha se nuk kishte njoftime të menjëhershme për viktima.

Guvernatori i Kharkivit, Oleh Syniehubov tha se bombardimet në Kupiansk, një qytet i mbajtur më parë nga forcat ruse përpara se Ukraina të merrte kontrollin shtatorin e kaluar, vranë dy persona të dielën.

Më vonë të dielën, guvernatori Syniehubov tha në rrjetin social Telegram se qyteti mbeti nën sulm dhe forcat ruse po synonin zonat e banuara me raketahedhës, raportoi agjencia AP.

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy denoncoi sulmet ajrore ruse që përkuan me kremtimin e të Dielës së Palmës Ortodokse. Shumica e 41 milionë banorëve të Ukrainës janë të krishterë ortodoksë që festojnë Pashkët më 16 prill.

“Kështu shteti terrorist e shënon të Dielën e Palmës”, tha presidenti Zelenskyy në fjalimin e tij të mbrëmjes. “Kjo është mënyra se si Rusia e vendos veten në izolim edhe më të madh nga bota”./VOA


Top Channel

You may also like