Zgjerimi i NATO-s, dështojnë përsëri përpjekjet për të bindur Turqinë

by admin
Spread the love

Përpjekja për të bindur Turqinë që të heqë veton ndaj integrimit të Suedisë dhe Finlandës në NATO ka dështuar përsëri. Ka qenë ky qëllimi i vizitës së ministrave të Jashtëm të Polonisë dhe Rumanisë në Stamboll, ku zhvilluan bisedime me homologun e tyre turk Mevlut Çavushollu. Por ky i fundit duket se nuk bëri lëshime.

“Duhet t’i themi gjërat hapur; një qasje e tillë, se me kalimin e kohës mund ta bindim Turqinë pasi jemi miq dhe jemi në të njëjtën aleancë, nuk do të funksionojë. Finlanda dhe Suedia duhet të ndërmarrin hapa konkretë. Pritshmëritë tona nuk janë të pamundura. Ato duhet të mos mbështesin terrorizmin”, thotë Mevlut Cavusoglu, ministër i Jashtëm i Turqisë.

Përballë pushtimit rus të Ukrainës, Finlanda dhe Suedia kanë lënë pas dekada të tëra neutralitet dhe kanë aplikuar për t’u bashkuar me Aleancën e Atlantikut të Veriut 2 javë më parë.

Pavarësisht entuziazmit që nisma shkaktoi mes vendeve anëtare, Turqia i kundërshton këto dy vende pasi mbështesin aktivistët e organizatave kurde që Ankaraja i konsideron “terroriste” dhe kërkon një ndryshim radikal të politikave të tyre.

Edhe pse politikanët dhe qytetarët në dy vendet nordike e mbështesin gjerësisht anëtarësimin në NATO, disa prej tyre pyesin veten nëse do t’u duhet të sakrifikojnë shumë për ta arritur këtë.

Rruga Press

You may also like