Zgjedhjet në Francë, analistët: Një fitore e Marine Le Pen, e dëmshme për sigurinë evropiane

by admin
Spread the love

Francezët votojnë të dielën në raundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale dhe çdo votë ka rëndësi pasi diferenca mes presidentit aktual Emmanuel Macron dhe sfidantes së tij Marine Le Pen është e vogël. Në një debat televiziv të mërkurën, Emmanuel Macron u përpoq të theksonte lidhjet midis partisë së ekstremit të djathtë të Marine Le Pen dhe presidentit rus Vladimir Putin. Në vitin 2014, partia e Marine Le Pen mori një kredi nga një bankë e lidhur me Kremlinin.

“Për vendin tonë, ky është një lajm i keq, sepse ju vareni nga regjimi rus dhe vareni nga Putini”, theksoi zoti Macron. Udhëheqësja e ekstremit të djathtë tha se asnjë bankë franceze nuk do t’i jepte asaj këtë kredi, ndaj ajo iu drejtua Rusisë.

Por për shumë analistë politikë kjo nuk është një çështje që kalohet lehtë. Ata ngrenë pyetjen se çfarë problemesh për sigurinë e Evropës në këtë kohë konflikti do të krijonte zonja Marine Le Pen, nëse merrte drejtimin e Francës.

Qëndrimi i saj ndaj Rusisë është në kontrast të plotë me atë të shumicës së udhëheqësve perëndimorë.

“Sapo lufta ruso-ukrainase të përfundojë dhe të zgjidhet me një traktat paqeje, unë do të bëj thirrje për zbatimin e një afrimi strategjik midis NATO-s dhe Rusisë”, ka thënë zonja Le Pen.

Po ashtu ajo ka kritikuar furnizimin e Ukrainës me armë të rënda si dhe dëshiron të dobësojë lidhjet franceze me NATO-n.

“Pasi të zgjidhem presidente, do të largohemi nga komanda e NATO-s, por nuk do të heq dorë nga zbatimi i nenit 5 të NATO-s për sigurinë kolektive”, ka thënë ajo.

Një fitore e Le Pen do të dobësonte rëndë unitetin perëndimor kundër Rusisë, thotë analisti Renaud Foucart.

“Ajo ka qenë ndër të parat, në mos e vetmja kandidate franceze që ka njohur Krimenë, aneksimin e Krimesë nga Rusia. Pra është shumë e qartë, ajo nuk do të jetë në favor të sanksioneve më të forta. Ajo i ka kundërshtuar ato dhe ka qenë shumë e zëshme për kundërshtimin e sanksioneve ndaj karburanteve fosile, gazit, naftës nga Rusia”, thotë ai.

Por në javët e fundit, pozitat e Le Pen janë forcuar në sondazhe.

“Ajo është distancuar disi nga Putini. Ajo ka dënuar sulmin kundër Ukrainës. Pika e dytë, ju e dini se në Francë, si në SHBA, zgjedhjet vendosen jo për çështje të politikës së jashtme, por për çështje të politikës së brendshme. Dhe ashtu si në SHBA, Franca po përballet me një valë inflacioni”, mendon Gérard Araud, ish-ambasador i Francës në OKB.

Marine Le Pen e ka fokusuar fushatën e saj në koston e jetesës dhe e ka akuzuar zotin Macron si një president “të fiksuar pas punëve të Evropës dhe jo të Francës”.

Për vite me radhë, Le Pen bëri fushatë për largimin e Francës nga BE. Tani ajo thotë se i ashtuquajturi plani “Frexit” nuk është më në axhendën e saj politike. Por ajo thotë se dëshiron të reformojë bllokun.

“Në fakt ajo do ta ndryshojë bllokun europian në mënyrë dramatike. Ajo ose do ta zbatojë programin e saj ose do të largohet nga Bashkimi Evropian”, mendon ish-ambasador i Francës në OKB.

Një fitore e papritur e zonjës Le Pen ka të ngjarë të krijonte tronditje të mëdha për NATO-n dhe Bashkimin Evropian.

You may also like