Zgjedhja e Presidentit, Pampuri zbulon se pse PD nuk çoi asnjë kandidaturë: Opozita nuk ka bojkotuar asnjë nga tentativat për të qenë pjesë e bisedimeve

by admin
Spread the love

Tema aktuale e mediave dhe figurave politike mbetet prej javësh zgjedhja e presidentit të ri. Pas dështimeve nga seancat opozitare tashmë rradha është e Partisë Socialiste të propozojë.

Deputetja e Partisë Demokratike, Orjola Pampuri, ka folur mbrëmjen e sotme në një emision televiziv për zgjedhjen e Presidentit të ri.

Pas dështimit të tre raundeve të para për Presidentin, raundi i katërt do të mbahet më 4 qershor. Afati i depozitimit të kandidaturave është ora 12:00 e së shtunës, ndërsa seanca në Kuvend do të mbahet në orën 18:00.

Pampuri u shpreh se opozita nuk ka bojkotuar asnjë nga tentativat për të qenë pjesë e bisedimeve.

Pampuri: Kemi qenë pjesë e diskutimeve dhe nuk kemi bojkotuar asnjë tentativë për të qenë pjesë e bisedimeve për të pasur një President konsensual. Kishim dhe platformë. Presidenti duhet të jetë përfaqësues i unitetit kombëtar. Sot të gjithë ata që folën për pazare duhet të tërheqin ato deklarata që kanë thënë. Nuk ishte asgjë e vërtetë. Firmat ne nuk i thamë për të pasur një konsensus me PS, por për të qenë figura e Presidentit konsensuale. Ne donim që kjo figurë, e cila vinte nga propozimet e opozitës, të kishte konensusin e maxhorancës.

Ndërsa një pjesë e opozitës vijoi bisedimet me maxhorancën, Rithemelimi nuk pranoi t’i bashkohej procesit për zgjedhjen e Presidentin. Pampuri tregoi në studio se janë bërë ftesa për bisedime me të gjithë demokratët.

Pampuri: Janë bërë ftesa, është kërkuar të diskutohet, është diskutuar me aleatët. Se si i perceptojnë ata diskutimet, është çështje perceptimi. Alibeaj i ka ftuar që t’i bashkohen bisedimeve. Nuk është pranuar në asnjë formë. Kemi bërë mbledhjen e parë ku janë diskutuar 8 emra dhe nuk u formalizuan me qëllim që të bëhej ftesa të nesërmen dhe të ishte I pranishëm gjithë Grupi Parlamentar. Presidenti është mbi të gjitha palët, nuk njeh inate brenda një Grupi Parlamentar. Është bërë kërkesa që të bashkëpunohet me opozitën e bashkuar. Unë nuk e di se deri ku duhet të shkojë përpjekja për t’i pasur në tryezë.

Deputetja Pampuri bëri të ditur edhe arsyen se pse opozita nuk e ushtroi të drejtën për të çuar kandidaturat e saj. Deputetja tha se nuk donin që figurat rigoroze që do propozoheshin nga opozita të bëheshin pjesë e farës së kryeministrit. Sipas saj, Rama kishte deklaruar që në fillim se do zgjidhnin një President të vetin.

Pampuri: Ne paraqitëm një platformë dhe brenda saj kishte një pikë ku thuhej, nëse kjo platformë nuk pranohet nga maxhoranca ne nuk bëhemi pjesë e farsës së tyre. Kemi një platformë. Nuk bojkotuam, u ulëm. Biseduam. Arritëm një konsensus, konsensusi u shkel. Në momentin që ata thonë propozojini ju dhe ne do zgjedhim tonin, këta janë figura me integritet, nuk mund të bëhen pjesë e lojës së Ramës. Këto figura shkojnë për të garuar në një proces të drejtë. Kjo është që mos përdorësh figura rigoroze për tu bërë pjesë e farsës së Ramës.

Me ezaurimin e tre raundeve të para dështoi edhe mundësia për të zgjedhur një president konsensual. Presidenti i ardhshëm i pesë viteve duket se do të vijë nga votat e socialistëve në Kuvend.

Kujtojmë se me ndryshimet kushtetuese të vitit 2008 presidenti zgjidhet në raundet e fundit vetëm me 71 vota, duke mos kërkuar kështu konsensus të detyruar.

You may also like