Zero fitore dhe vendi i fundit, zhytet në krizë skuadra franceze

by admin
Spread the love

E fundit në renditje, me zero fitore në 9 javët e para të kampionatit dhe me vetëm katër pikë, fryt i po aq barazimeve në këtë fillim-sezoni.

Bëhet fjalë për skuadrën më të titulluar të Ligue 1, St. Ettiene, e përveç statistikave të mësipërme, ka në të njëjtën kohë sulmin më të dobët të kampionatit me 8 gola të shënuar dhe një nga 5 mbrojtjet më të këqija, me 18 gola të pësuar.

Duke parë Bayernin e Mynihut kryesues, Juventusin në ngritje apo Realin e Madridit dhe Manchester United, që janë në vende të larta në renditje, është e vështirë të besosh se skuadra më e titulluar në një nga 5 ligat kryesore europiane, po kalon një moment kaq të vështirë.

Me 10 tituj kampionë të fituar, i fundit më 1981-shin nën siglën e Michel Platini, “les verts” janë skuadra me më shumë kampionate, një më shumë se PSG-ja dhe sigurisht e vetmja me dy shifra dhe e vetmja që mban një yll mbi logo.

Vazhdimisht kjo skuadër ka përjetuar ulje-ngritje, por në Ligue 1 qëndron vazhdimisht që prej rikthimit në vitin 2004 dhe këtë vit ka regjistruar nisjen më të dobët të sezonit dhe vetëm një penallti e dyshimtë në minutat shtesë të ndeshjes ndaj Lyonit, bëri që të shmangnin humbjen edh në derbin e ndjerë mes dy ekipeve.

Gjithçka duket e çuditshme në fakt, pasi sezoni nisi me ambicie, me një trajner me eksperiencë si Claude Puel në pankinë dhe me talente si Green në portë apo Douath e Auchiche në mesfushë, pritshmëritë mbi skuadrën e St. Ettiene kanë qenë padyshim shumë më të larta.

Në humbjen e fundit ndaj Nice, tifozët, që janë nga më të zjarrtët në kampionatin francez, injoruan jo pak futbollistët e tyre, duke shoqëruar me “Ole” çdo pasim të saktë të futbollistëve kundërshtarë, ndërsa edhe trajneri Claude Puel ka përfunduar në shënjestër.

Për momentin ky i fundit ka marrë mbështetje pa kushte nga drejtuesit, por nuk mund t’i mbajë gjatë këto kredite dhe nëse situata nuk ndryshon pas ndërprerjes dy javore të kampionatit, atëherë shkarkimi do të jetë i pashmangshëm.

You may also like