Zëri i Amerikës: Kosova e Serbia do të ftohen në Samitin e Bidenit për Demokraci

by admin
Spread the love

Zëri i Amerikës në gjuhën serbe ka shkruar rreth mundësisë së ftesës për Kosovën dhe Serbinë, në samitin e Demokracisë që mbahet në SHBA nga presidenti Joe Biden.

Sipas Zërit të Amerikës s’ka konfirmim zyrtar akoma dhe se Departamenti i Shtetit su ka kthyer përgjigje atyre lidhur me këtë çështje.

Gazeta prestigjioze Politico kishte publikuar listën e shteteve që presidenti Biden kishte ftuar për të marrë pjesë në Samitin për Demokraci më 9 dhe 10 dhjetor, por që Kosova nuk përfshihej në të.
Një grup i organizatave joqeveritare nga Kosova, ka kërkuar përmes një letre që, Shtetet e Bashkuara të shqyrtojnë thirrjen e Kosovës për të marrë pjesë në Samitin për Demokraci, të organizuar më 9 dhe 10 dhjetor nga presidenti amerikan, Joe Biden.

Vërtetësinë e kësaj letre e ka konfirmuar për Radion Evropa e Lirë njëri nga nënshkruesit e saj, Agon Maliqi, kryetari i bordit të platformës jofitimprurëse, Sbunker.

“Ne jemi të vetëdijshëm për kontekstin delikat të sigurisë në Ballkan, që prodhon ndarje të thella etnike dhe shpesh paqëndrueshmëri. Megjithatë, duke pasur parasysh përparimin e vazhdueshëm që Kosova ka bërë gjatë viteve për të ndërtuar demokraci, por edhe raportet e posaçme mes popullit të Kosovës dhe të Shteteve të Bashkuara, ne besojmë se Kosova meriton të jetë pjesë e kësaj iniciative strategjike dhe do të përfitonte nga e njëjta”, thuhet në letër.

Samiti për demokraci do të ketë tri tema kyçe: mbrojtjen kundër autoritarizmit, adresimin dhe luftimin e korrupsionit dhe avancimin e respektimit të të drejtave të njeriut.

Pas takimit të parë dhe konsultimeve në të, Biden do të ftojë liderët botërorë sërish, që të diskutojnë rreth përparimit të bërë.

You may also like