Zbulohet tentativa e rrëmbimit të Zelenskyt nga rusët në 24 orët e para të pushtimit

by admin
Spread the love

Revista “Time” ka realizuar një reportazh shumë të gjatë mbi Presidentin e Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ku ndër të tjera ka rrëfyer se kur lufta filloi më 24 shkurt, ditët e para të saj, parashutistë rusë mbërritën në Kiev me qëllim rrëmbimin e Zelenskyt dhe familjes së tij, një mision që u anulua vetëm në minutat e fundit.

Që nga fillimi i luftës, Presidenti ukrainas jeton dhe punon në zyrën presidenciale. Siguria në rrugët ngjitur me këtë zyrë është e tillë, sa që fjalëkalimet ndërrohen çdo ditë. Asnjë makinë nuk mund të afrohet atje.

Natën e 24 shkurtit, ushtria informoi Zelenskyn se ekipet ruse elitë kishin rënë me parashutë në Kiev për ta vrarë ose për ta rrëmbyer atë dhe familjen e tij.

“Para asaj nate, ne kishim parë gjëra të tilla vetëm në filma,” tha Andriy Yermak, shefi i kabinetit të Presidentit. Eskorta presidenciale u përpoq të bllokonte hyrjet e kompleksit me çfarë të mundte, veçanërisht një derë në pjesën e pasme, që e bllokuan me një pirg barrikadash policie dhe kompensatë.

Po atë ditë të parë të luftës, trupat ruse bënë dy përpjekje për të sulmuar kompleksin. Zelensky rrëfeu për “Time” se gruaja dhe fëmijët e tij ishin ende atje në atë kohë. Që nga ajo ditë, megjithë përpjekjet e ekipit të tij dhe të Shteteve të Bashkuara për ta detyruar atë të shkojë në një vend fqinj nga ku do të qeveriste, Zelensky nuk ka pranuar. Ai ka bërë edhe dalje në front, madje ka vizituar edhe Bucha-n. Në videon e tij të parë, mesazhi ishte i thjeshtë: “Ne jemi të gjithë këtu. Ne mbrojmë pavarësinë tonë, vendin tonë”.

Që atëherë, çdo ditë, ai i ka dërguar botës një mesazh në gjuhën e tij amtare dhe në anglisht. Ai ka folur në çdo parlament në Evropë, Kanada dhe Shtetet e Bashkuara, madje edhe liderët evropianë kanë nisur të udhëtojnë në Kiev për t’u takuar me të.

You may also like