Vuçiç e Rama, modelet e dështuara në aventurën e radhës

by admin
Spread the love

Pas shfaqjes më të zhurmshme deri më tani të Ballkanit të Hapur që u dha në Ohër, pas përplasjes së argumentave pro dhe kundër kësaj inisiative, pas mesazheve nga zyrtarë të Uashingtonit e Brukselit, pas fjalimeve e konferencave të shtypit ku lartësoheshin vlerat europiane të këtij projekti, do të mjaftonte një pyetje e thjeshtë për të nxjerrë në dritë paradoksin e aventurës rajonale të radhës, të ndërmarrë nga Vuçiç e Rama.

Kush janë këta dy liderë që kanë marrë përsipër krijimin e një hapësire më të lirë, më demokratike, më të begatë dhe më të barabartë në rajon? Cili është modeli në vendet e tyre, ku drejtonë prej një dekade, që tashmë mund ta aplikojnë në Ballkanin Perëndimor? A janë ata mishërues të atyre vlerave dhe parimeve që predikojnë për të ardhmen e ndritur të Ballkanit të Hapur?

Ballafaqimi me modelin politik, ekonomik dhe shoqëror që Vuçiç dhe Rama kanë ngritur në vendet e tyre, është edhe shpjegimi se përse ata i kanë hyrë një aventure të re në Ballkan. Pikërisht paradoksi mes realiteteve në Beograd e Tiranë dhe imagjinares që ata propagandojnë për një hapësirë ballkanike, dëshmon për nevojën personale që këta dy individë kanë për të mbetur si faktorë të dorës së parë në rajon. Duke u imponuar si liderë që kontrollojnë më shumë se gjysmën e popullsisë në këtë hapësirë, ata po tentojnë të imponohen si udhëheqësit që kanë në dorë stabilitetin dhe fatin e rajonit, dhe mu për këtë arsye, të amnistohen për rrënimin e demokracisë, lirive dhe ekonomisë në vendet e tyre.

Për të njëjtën arsye, po këta dy liderë (dhe zoti Thaçi në Kosovë), patën nisur disa vite më parë një tjetër aventurë, atë të shkëmbimit të territoreve dhe popullsive për të krijuar hapësira etnikisht të pastra. Edhe atëherë nuk munguan brohoritjet për këtë gjetje gjeniale që do t’i jepte fund konflikteve dhe do sillte pajtimin e madh, nuk munguan të njëjtët zara mediatikë që sot militojnë për Ballkannin e Hpaur e të njëjtët diplomatë e sekserë ndërkombëtarë që, pas vizatimit të hartave, tani vizatojnë korsitë e gjelbra në pikat kufitare. Në fund, u pa qartë se ideja e madhe e shkëmbimit të territoreve ishte një nismë individuale e të njëjtëve liderë që sot kërkojnë shkrirjen e tyre, gjithnjë për të njëjtin qëllim. Të legalizojnë keqqeverisjen, korruspionin dhe lidhjet me krimin e organizuar në vendet tyre, nëpërmjet noterizimit ndërkombëtar si faktorë stabiliteti në rajon.

Alkesandër Vuçiç dhe Edi Rama janë sot dy liderët më problematikë në rajon. Ata dallohen për drejtimin e tyre autoritar, për eleminimin e opozitarizmit, për kontrollin e plotë mbi mediat, biznesin dhe ekonominë në përgjithësi, për korrupsionin në të gjitha nivelet e qeverisjes, për lidhjet e forta me krimin e organizuar në majat e vendimmarrjes politike, për pastrimin e parave dhe hapjen e kufijve për trafikimin e drogave të forta. Këto sipas raporteve ndërkombëtare dhe mediave më serioze europiane. Tani, këtë të dy, Vuçiç dhe Rama kanë marrë përsipër të krijojnë një hapësirë ballkanike ku do të lulëzojë ekonomia e lirë, qarkullimi i lirë i njerëzve dhe kapitaleve dhe ku do të përfitokan të gjitha vendet pjesmarrëse. A mundet që dikush që i ka frenuar apo më keq i ka shkatërruar këto vlera, që nga konkurrenca e lirë e deri tek ekonomia e pastër, në vendin e tij, t’i ndërtojë ato për vendet e tjera?

Dy liderët e gjatë, njëri i Beogradit e tjetri i Tiranës, janë të vetmit që nëpërmjet korruspionit, blerjes së votës, kontrollit mbi mediat e biznesin dhe kompromentimit të një grushti ndërkombëtarësh, kanë frenuar rotacionin normal politik në vendet e tyre. Në vendet e tjera kjo ka ndodhur, madje Kosova, me të cilën kryeministri ynë po na largon për shkak të aventurës së tij të radhës, ka nxjerrë në krye të 20 viteve një klasë krejt të re politike. Dhe po t’i shtosh problemeve të brendshme të Shqipërisë dhe Serbisë, edhe rolin destabilizues të kësaj të fundit, të dëshmuar si në Malin e Zi, në Bosnje e në Kosovë, do duhej një logjikë vërtetë speciale për të pranuar shndërrimin e një modeli të degraduar në një projekt të praruar si Ballkani i Hapur. 

©Lajme

You may also like