Vuajtjet njerëzore në Ukrainë duhet të ndalen – Shqip

by admin
Spread the love

Kryesuesi i OSBE-së dhe ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, foli sot në Seancën e 11-të Speciale Emergjente të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara (OKB) në Nju -ork, ku dënoi ashpër agresionin ushtarak të Federatës ruse ndaj Ukrainës.

Në fjalimin e tij, ai u dërgoi mesazh të gjitha vendeve anëtare të OKB-së për rëndësinë e miratimit të Rezolutës së OKB-së për rivendosjen e paqes dhe mbrojtjen e rendit ndërkombëtar dhe u bëri thirrje të gjitha vendeve anëtare të OKB-së të qëndrojnë në solidaritet me Ukrainën dhe popullin e saj, si dhe të mbështesin Kartën e OKB-së, e cila është përgjegjësia e tyre e përbashkët.

“Sot është Ukraina, nesër mund të jetë cilido nga vendet tona që mbështetet në rregullat dhe parimet e së drejtës ndërkombëtare dhe e konsideron Kartën e OKB-së si një garanci të padiskutueshme të pavarësisë, sovranitetit dhe integritetit territorial të vendeve. Federata Ruse ka shkelur këto parime themelore, të cilat ne të gjithë i vlerësojmë dhe për të cilat jemi dakord të gjithë, pavarësisht dallimeve tona”, tha krysuesi i OSBE-së para Kuvendit të Përgjithshëm të OKB-së.

Osmani ka bërë të qartë se “sferat e ndikimit” nuk mund të pranohen në shekullin XXI, duke shpjeguar se është koncept për shkaktimin e konflikteve, siç është rasti me Ukrainën. Ai theksoi se është e palejueshme që një shtet të ndryshojë me forcë kufijtë e fqinjit të tij demokratik, të shkatërrojë infrastrukturën e tij dhe të shkaktojë vuajtje të padurueshme për popullatën civile.

“Nuk mund të lejojmë apo pranojmë pushtimin e territoreve me luftë, referendume të organizuara në mënyrë qesharake për territoret e pushtuara. Nuk mund ta pranojmë sundimin me dhunë dhe të lëmë më të fuqishmit të vendosin për fatin e popujve të tjerë”, tha Osmani.

Osmani, siç qëndron në kumtesë, tha se Rusia ka zgjedhur anën e gabuar të historisë dhe prandaj shumica e vendeve anëtare kanë pranuar rezolutat e mëparshme të OKB-së që dënojnë invazionin rus në Ukrainë. Nuk ka asnjë arsyetim për sjelljen e Rusisë si anëtare e përhershme e Këshillit të Sigurisë, theksoi Osmani. Përveç nisjes së një lufte agresive kundër Ukrainës, Rusia ka shkaktuar gjithashtu pasiguri energjetike dhe mungesa ushqimore në botë.

Kryesuesi i OSBE-së i përcolli qëndrimet e Maqedonisë së Veriut, e cila udhëhiqet nga parimet e së drejtës ndërkombëtare dhe Karta e OKB-së. Që në fillim, vendi ynë dënoi luftën ruse kundër Ukrainës dhe si shumë anëtarë të OKB-së, mbështeti hetimin e krimeve të mundshme të luftës kundër popullit ukrainas, dhe tani mbështet rivendosjen e paqes dhe mbrojtjen e rendit ndërkombëtar.

Duke folur nga pozita e kryesuesit të OSBE-së, Osmani theksoi se Rusia me invazion ushtarak i ka shkelur edhe parimet e OSBE-së dhe Aktin Përfundimtar të Helsinkit. Para Kuvendit, ai ndau dëshmitë e tij personale gjatë misionit në terren në Ukrainë.

“Vizitova qytetin Borodianka në afërsi të Kievit, i cili u godit veçanërisht rëndë nga sulmet ruse. Fola me njerëz, pyeta veten: çfarë kanë gabuar këta civilë të pafajshëm, shumica të moshuar apo fëmijë. Çfarë gabimi kanë bërë për ta merituar këtë fat? Ne mund të bëjmë shumë më tepër se ndihma humanitare, ne mund ta parandalojmë këtë vuajtje njerëzore. Siç thotë motoja e kryesisë sonë të OSBE-së – Fjala është për njerëzit”, theksoi Osmani.

Kryesuesi i OSBE-së u tha përfaqësuesve të vendeve anëtare të OKB-së se veprimet politike në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar do të jenë të pakuptimta nëse heshtim përballë vuajtjeve njerëzore që nuk shkaktohen nga fatkeqësitë natyrore, por nga agresioni i qëllimshëm ushtarak. Ai theksoi se duhet të ketë përgjegjësi sepse është mjeti më efektiv për të parandaluar që ajo që po ndodh në Ukrainë t’i ndodhë përsëri një shteti tjetër sovran dhe një populli tjetër.

“Komuniteti ndërkombëtar, i mishëruar në Kombet e Bashkuara, nuk mund të lejojë një shkelje të rëndë të të gjitha rregullave dhe parimeve. Ajo që del si çështje nuk është asgjë më pak se vizioni i botës në të cilën duam të jetojmë: ose do të sigurojmë bashkëjetesë dhe bashkëpunim paqësor midis kombeve, pa kërcënime lufte dhe agresioni ose do të detyrohemi të jetojmë në frikë të vazhdueshme, paqëndrueshmëri dhe pasiguri”, deklaroi kryesuesi i OSBE-së, Bujar Osmani në Kuvendin e Përgjithshëm të OKB-së.

You may also like