Volkswagen e Bosch, marrëveshje për software për drejtimin autonom –

by admin
Spread the love

Divizioni software i Volkswagen (VOWG_p.DE) Cariad dhe distributori i automjeteve Bosch do të bashkëpunojnë për të zhvilluar një software për drejtim të automatizuar, i cili do të përdoret në automjetet Volkswagen – thanë të martën shoqëritë në një deklaratë të përbashkët.

Duke përdorur të dhënat e flotës së Volkswagen, kompanitë do të zhvillojnë të ashtuquajturin software për drejtim autonom, niveli 2 – i cili do të mundësojë drejtimin pa duar te timoni në qytete, zona rurale dhe në autostradë – si dhe një sistem të nivelit 3, që do të marrë të gjithë funksionet e drejtimit në autostradë. Ata pritet ta përfshijnë software e nivelit 2 në automjetet Volkswagen duke nisur nga viti 2023.

Pas një kohe të papërcaktuar, Bosch do ta zhvendosë teknologjinë në tregun e jashtëm, tha drejtuesi i divizionit të software Matthias Pillin në një konferencë për shtyp.
“Marrëveshjet në zhvillimin e software nuk janë të pazakonta… pasi të keni gjeneruar IP-në përkatëse, ju mund të ndiqni rrugët tuaja” – tha CEO i Cariad, Dirk Hilgenberg.

Kjo është marrëveshja e dytë e njoftuar nga kompanitë këtë vit, të cilat javën e kaluar bënë të ditur se do të krijonin një joint venture (sipërmarrje të përbashkët) për të pajisur me makineri fabrikat e qelizave për bateri. Megjithatë, kompanitë nuk kanë zbuluar se sa kanë investuar në të dyja marrëveshjet.

Volkswagen dhe Bosch i kanë bashkuar aktivitetet e tyre të software në një divizion të vetëm për të forcuar ofertën e tyre përballë konkurrencës kryesisht nga Tesla (TSLA.O), si dhe nga kompani si Alphabet (GOOGL.O) gjithnjë e më të pranishme në sektorin e automjeteve. Volkswagen synon që Cariad të furnizojë 60% të software-ve në automjetet Volkswagen brenda vitit 2025, nga 10% në vitin 2020 kur u krijua njësia.

Por konkurrenca për talente është e ashpër, dhe investimi i lartë fillestar për të zhvilluar aftësi software nga e para, kur shumë shtëpi automobilistike kanë gjithashtu nevojë për fonde për elektrifikimin dhe zhvillimin e baterive, do të thotë se disa po krijojnë partneritete.

Volkswagen ka investuar 2.6 miliardë dollar në startup-in me drejtim autonom Argo AI, e cila po zhvillon automjete të nivelit 4 – ku makina mund të kontrollojë pjesën më të madhe të situatave në mënyrë të pavarur, por drejtuesit mund të kërkojnë kontrollin – për flotat e përbashkëta,

Në vitin 2017, Bosch e Daimler (DAIGn.DE) njoftuan planet për të ndërtuar një flotë të përbashkët për “robo-taksi” me drejtim autonom – por marrëveshja u anulua në vitin 2021, disa muaj pasi CEO i Daimler theksoi kostot e larta dhe rreziqet.

Daimler është i pari që ka siguruar miratimin rregullator për sistemin e tij me drejtim pa duar (hands-free driving system) në dhjetor. Volkswagen dhe Bosch nuk e kanë ende këtë miratim, tha Hilgenberg.

/ Reuters


Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ri-publikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit original.

You may also like