VOA: Nancy Pelos do të vizitojë Tajvanin, pavarësisht paralajmërimeve të Kinës

by admin
Spread the love

Kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve Nancy Pelosi do të vizitojë Tajvanin të martën, thanë tre persona të informuar për këtë çështje, pasi Kina paralajmëroi se ushtria e saj nuk do të “rrinte duarkryq” nëse ajo vizitonte ishullin e vetëqeverisur që Pekini e konsideron territor të tijin.

Pelosi, e cila filloi një turne në Azi më herët të hënën në Singapor, do të kalonte natën e së martës në Tajvan, thanë personat në dijeni të vizitës së saj.

Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken tha të hënën se një vizitë e mundshme në Tajvan nga kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve Nancy Pelosi do të ishte tërësisht vendimi i saj, por i bëri thirrje Kinës që të mos përshkallëzojë tensionet në rast të një vizite.

“Nëse kryetarja Pelosi vendos të vizitojë Tajvanin dhe Kina përpiqet të krijojë një lloj krize ose të përshkallëzojë tensionet, kjo do të ishte tërësisht në anën e Pekinit”, tha zoti Blinken pas bisedimeve për mospërhapjen bërthamore në Kombet e Bashkuara.

“Ne po kërkojmë që ata (Kina) – në rast se ajo vendos të vizitojë – të veprojnë me përgjegjësi dhe të mos përfshihen në ndonjë përshkallëzim në vazhdim.”

Ministria e Jashtme e Tajvanit tha se nuk kishte asnjë koment mbi njoftimet për planet e udhëtimit të zonjës Pelosi.

Mes spekulimeve të përhapura nëse ajo do të bënte një ndalesë në Tajvan, zyra e kryetares Pelosit tha të dielën se ajo po drejtonte një delegacion të kongresit në rajon që do të përfshinte vizita në Singapor, Malajzi, Korenë e Jugut dhe Japoni duke mos përmendur Tajvanin.

Një burim i tha agjencisë Reuters se Shtetet e Bashkuara kishin informuar disa aleatë për vizitën e zonjës Pelosi në Tajvan. Dy burime të tjera thanë se zonja Pelosi ishte planifikuar të takonte një grup të vogël aktivistësh të cilët flasin hapur për të dhënat e të drejtave të njeriut në Kinë ,gjatë qëndrimit të saj në Tajvan, ndoshta të mërkurën.

Zëdhënësi i ministrisë së jashtme kineze Zhao Lijian tha më herët të hënën se do të ishte “një ndërhyrje e rëndë në punët e brendshme të Kinës” nëse zonja Pelosi viziton Tajvanin dhe paralajmëroi se kjo do të çonte në “zhvillime dhe pasoja shumë serioze”.

“Do të donim t’u themi Shteteve të Bashkuara edhe një herë se Kina po qëndron pranë, Ushtria Çlirimtare Popullore Kineze nuk do të rrijë kurrë duarkryq dhe Kina do të marrë përgjigje të vendosura dhe kundërmasa të forta për të mbrojtur sovranitetin dhe integritetin e saj territorial”, tha zëdhënësi Zhao në një fjalim të rregullt në informimin e përditshëm.

I pyetur se çfarë lloj masash mund të marrë Kina, zëdhënësi Zhao tha: “Nëse ajo guxon të shkojë, atëherë le të presim dhe të shohim”.

Kina i sheh vizitat e zyrtarëve amerikanë në Tajvan si një sinjal inkurajues për kampin pro-pavarësisë në ishull. Uashingtoni nuk ka lidhje diplomatike me Tajvanin, por është i detyruar nga ligji i SHBA-së t’i sigurojë ishullit mjetet për t’u mbrojtur.

Një vizitë nga zonja Pelosi, e cila është e dyta në radhën e pasardhësve të presidencës së SHBA-së dhe një kritike për një kohë të gjatë e Kinës, do të vinte mes përkeqësimit të lidhjeve midis Uashingtonit dhe Pekinit. Republikani Newt Gingrich ishte kryetari i fundit i Dhomës së Përfaqësuesve që vizitoi Tajvanin, në vitin 1997.


Top Channel

You may also like