Vllaznia fiton dhe i afrohet kreut/ Shkodranët mposhtën Kukësin që mbetet në vend të parafundit

by admin
Spread the love
1a7253ebfd94147be1a9016b1f9dc492.jpeg

Pas dy humbjeve radhazi, Vllaznia rikthehet te fitorja dhe këtë e bën në Loro Boriçi ndaj Kukësit.

Kuqeblutë mposhtën verilindorët me rezultatin e pastër 2-0 duke mos i vendosur tre pikët në diskutim, teksa autorët e golave ishin Herald Marku dhe Fjoart Jonuzi. Goli i parë i shënuar nga mesfushori erdhi në minutën e 20-të teksa Marku lëvizi bukur në krahun e djathtë dhe nga një kënd i vështirë mposhti portierin Halimi. Ky i fundit u bë protagonist edhe në rastin e golit të dytë, teksa në minutën e 45-të gaboi tërësisht në goditjen e Jonuzit nga distanca me topin që i shpëtoi nga duart.

Në fraksionin e dytë të lojës, shkodranët menaxhuan avantazhin dhe në fund morën tre pikë tejet të rëndësishme pasi tashmë ngjiten në vendin e dytë në kuotën e 31 pikëve, gjashtë më pak se Tirana kryesuese ndërkohë që në javën e ardhshme përplasen pikërisht me bardheblutë në Loro Boriçi. Nga ana tjetër, Kukësi mbetet në një situatë kritike teksa renditet në vendin e nëntë me 22 pikë.

Në ndeshjen tjetër, Teuta ia doli në shtëpi përballë Bylisit. Në stadiumin Niko Dovana, “Djemve të Detit” iu mjaftoi një gol i Jurgen Goxhës në pjesën e dytë të lojës. Mbrojtësi që u afrua në merkaton e janarit te Teuta u shfaq vendimtar në minutën e 78-të teksa devijoi saktë me kokë në portën e mbrojtur nga ana e Teqjes duke ndëshkuar kështu ish-skuadrën e tij. Deri në fund rezultati nuk ndryshoi dhe Teuta shkon në kuotën e 24 pikëve në vend të shtatë, ndërsa Bylis është i teti me 23 pikë.

Kastrioti ia doli të marrë një pikë në sfidën e luajtur në Kamëz ndaj Erzenit. 90-minutat u mbyllën me rezultatin 2-2, megjithatë për mënyrën si shkoi sfida, krutanët mund të kënaqen edhe me një pikë duke qenë se e panë veten në disavantazhin e dy golave. Shijakasit realizuan dy herë në pjesën e parë teksa ndeshja u zhbllokua në minutën e pestë me anë të Dzhelil Asanit.

Ndërkohë, në të 34-tën, ishte sulmuesi Dejvid Kaplllani që dyfishoi shifrat për ta mbyllur në mënyrën më të mirë 45-minutëshin e parë. Por, në fraksionin e dytë, Kastrioti reagoi dhe në minutën e 59-të shkurtoi diferencat me anë të Stojanovic.

Kaq u desh dhe krutanët u karikuan dhe pesë minuta më pas gjetën edhe golin e barazimit me anë të Bedri Grecës. Deri në fund rezultati nuk ndryshoi dhe ndeshja u mbyll në barazim 2-2. Pas këtij barazimi krutanët mbeten të fundit në renditje me 20 pikë ndërsa nga ana tjetër, Erzeni mbetet në vendin e tretë me 30 pikë.

 


Top Channel

You may also like