Vlahovic shpëton Juven nga humbja, Bologna reziston edhe me 9 lojtarë

by admin
Spread the love
1a7253ebfd94147be1a9016b1f9dc492.jpeg

Juventusi zhgënjen sërish në shtëpi, pasi nuk merr me shumë se një pikë në “Allianz” përballë Bolognas. Miqtë kalojnë të parët në avantazh me Arnautovic, ndërsa bardhezinjtë barazojnë shifrat me Vlahovic në minutën e 95-të.

Ka pasur tension dhe polemika kjo sfidë pa fitues, që Bologna e mbylli me 9 lojtarë. Zhgënjen Juventusi, që pas barazimit të sotëm 1-1 vë në dyshim vendin e katërt në renditje, ndërsa Bologna tregon se është një kockë e fortë për çdo kundërshtar.

Në “Allianz” është një tifoz i veçantë si Del Piero, por 45 minutat e para përballë Bolognas përfundojnë në barazim të bardhë 0-0. Juventusi nuk bën asnjë goditje në kuadrat, por krijon tre raste të rrezikshme me Vlahovic, Dybala dhe Danilo.

Serbi provon me kokë, por gjuajtja e tij përfundon jashtë. Edhe goditja nga jashtë zone e argjentinasit nuk është e saktë, ndërsa Danilo rrezikon pak minuta para se të mbyllet pjesa e parë. Bologna nuk qëndron duke parë dhe krijon rastet e saj me Orsolini dhe Svanberg, por pa shqetësuar shumë Szczesny.

Miqtë nisin më mirë pjesën e sytë dhe i afrohen golit me Arnautovic, por gjuajtja e tij kalon ngjitur me shtyllën. Juventusi përgjigjet me Rabiot, që nuk arrin të godasë në shenjë.

Marko Arnautovic shokon tifozët e pranishëm në “Allianz”. Sulmuesi austriak driblon Szczesny dhe dërgon topin në rrjetë, duke kaluar në avantazh Bolognan. Arnautovic shënon golin e 6-të radhazi në kampionat për kuqeblutë. Juventusi mundohet të reagojë, por Skorupski devijon në korne gjuajtjen e De Sciglio. Bardhezinjtë rrisin presionin dhe i afrohen golit me Danilon, por gjuajtja e tij përfundon në shtyllë. Provon edhe De Ligt, por Skorupski grushton gjuajtjen e tij.

Allegri kërkon të ndryshojë fatin e kësaj sfide dhe hedh disa forca të freskëta në fushë. Juventusi hidhet në sulm në kërkim të golit të barazimit. Cuadrado godet traversën me portën bosh, por bardhezinjtë pretendojnë 11 metërsh për një ndërhyrje në dëm të Moratas.

Ndërhyn VAR dhe gjyqtari Sacchi pasi risheh pamjet nuk akordon penallti, por goditje jashtë zone dhe karton të kuq për Soumaoro. Bologna proteston dhe Medel ndëshkohet me të kuq dhe lë miqtë me 9 lojtarë.

Me 2 lojtarë më shumë në fushë, Juventusi hidhet në sulm në kërkim të golit. Akordohen 8 minuta shtesë dhe pas disa përpjekjeve, Vlahovic arrin të barazojë shifrat në 1-1.

Duhet të luhen edhe 4 minuta deri në përfundim të sfidës dhe Juventusi hidhet në sulm në kërkim të fitores, por djemtë e Allegrit nuk arrijnë që të shënojnë edhe golin e dytë.

Mbyllet 1-1 në Torino një sfidë plot emocione, tension dhe polemika, por pa fitues.

Foto: JuventusFC Twitter

You may also like