VJENË – IPI: Të paktën 65 gazetarë të vdekur në Gaza deri më tani

by admin
Spread the love

VJENË, 30 dhjetor /ATSH-DPA/ – Të paktën 65 gazetarë kanë vdekur në luftën e Gazës që nga fillimi i sulmeve izraelite, sipas Institutit Ndërkombëtar të Shtypit (IPI).

“Ky është numri më i madh i gazetarëve të vrarë në një hark kohor kaq të shkurtër në çdo luftë apo konflikt modern”, njoftoi sot instituti në Vjenë.

IPI i bëri thirrje Izraelit dhe komunitetit ndërkombëtar që të sigurojnë që përfaqësuesit e medieve të mund të punojnë lirshëm dhe të sigurt.

Sipas shifrave të IPI, 66 profesionistë të medias u vranë në vitin 2022 në tërësi dhe 45 në 2021.

Lufta në Gaza u shkaktua nga masakra më e rëndë në historinë e Izraelit më 7 tetor, në të cilën terroristët nga Hamasi dhe grupet e tjera ekstremiste vranë rreth 1 200 persona në Izrael dhe rrëmbyen rreth 240 të tjerë në Rripin e Gazës.

Izraeli u përgjigj me sulme masive ajrore dhe një ofensivë tokësore. Sipas Ministrisë së Shëndetësisë të kontrolluar nga Hamasi në Gaza, numri i palestinezëve të vrarë në Rripin e Gazës që nga fillimi i luftës është rritur në 21 672.

IPI denoncoi pengimin e shtypit në shumë vende, duke përmendur Afganistanin, Kinën dhe të tjerët.

Në këto vende gazetarët frikësohen, ngacmohen, burgosen ose kufizohen nga censura.//a.i/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

You may also like