Vjen paralajmërimi nga Bullgaria për RMV: Pa ndryshimet kushtetuese nuk ka integrim europian

by admin
Spread the love

Në qoftë se Kuvendi i Maqedonisë së Veriut nuk arrin të sigurojë mbështetje për ndryshime kushtetuese dhe përfshirjen e Bullgarëve si popull kushtetues, siç pohon opozitarja VMRO-DPMNE në pritje që propozimi francez për negociata me Brukselin të hidhet poshtë, procesi do të ndërpritet, janë kategorikë dy eurodeputetët bullgarë.

“Propozimi është në tavolinë dhe prej tani kompromisin e arritur duhet ta shohim si mundësi. I kemi parë pikat problematike, e pamë se arritëm deri në pikën më të ulët në marrëdhëniet me Maqedoninë e Veriut. Tani duhet ta shohim si do të dalim nga kjo krizë?”, tha Ilhan Kyçyk, eurodeputet.

“Në qoftë se Hristijan Mickoski dhe partia e tij e udhëheqin fushatën e tyre në këtë tezë, kjo do ta bllokojë rrugën e Maqedonisë së Veriut. Unë shpresoj se kjo nuk do të ndodhë”, thaAndrej Kovaçev, eurodeputet.

Kovaçev nga radhët e partisë GERB të ish-kryeministrit Bojko Borisov, i njohur për qëndrimet e tij të ngurta në raport me “çështjen maqedonase”, pohon se Shkupi investon në SHBA, Bruksel, Berlin si dhe në qarqet universitare-akademike për mbrojtjen e pozicioneve të veta dhe për këtë arsye kërkon që Sofja urgjentisht të përgjigjet në të njëjtën mënyrë.

“Kjo duhet të bëhet urgjentisht për bashkësitë tona historike në Shqipëri, në Kosovë, në Maqedoni, në Ukrainë, në Moldavi. Këtë e bëjnë edhe Vuçiqi, edhe Orbani, edhe Qeveria në Shkup, pse Sofja të mos e bëjë?”

Kyçyk ka qëndrim tjetër, politika e jashtme bullgare të mos fokusohet vetëm në Maqedoninë e Veriut.

“Kjo gjithsesi ka të bëjë me vendet e Ballkanit Perëndimor. E shihni sa problematike janë marrëdhëniet në mes Serbisë dhe Kosovës, sa problematike është gjendja në Bosnjë e Hercegovinë, Bullgaria si shtet i pjekur duhet ta ndjekë atë proces. Ne e njohim rajonin.”

Në Maqedoninë e Veriut vazhdon të ketë dallime të thella rreth Kornizën së miratuar negociuese me Bashkimin Evropian. Qeveria e miratoi me shpresë se Sofja nuk do të jetë pengesë për procesin, ndërsa opozitarja VMRO-DPMNE është kundër dhe pohon se nuk do të votojë për ndryshimet kushtetuese, me arsyetimin se Bullgaria, përmes BE-së do të udhëheqë politike të asimilimit dhe bullgarizimit të popullit maqedonas, identitetit dhe historisë së tij.

You may also like