Vjen barazimi i parë i Botërorit, nuk ka fitues në SHBA-Uells

by admin
Spread the love

Ka ardhur edhe barazimi i parë në Kupën e Botës pasi sfida midis SHBA-së dhe Uellsit është mbyllur me rezultatin 1-1. Golit të Weah për amerikanët, iu përgjigj Gareth Bale me një 11-metërsh duke vulosur rezultatin final të takimit.

Ndeshja nis mirë për Amerikën që është më kërkuese për të prishur ekuilibrat e takimit. Fillimisht është Sargent që ka një mundësi shënimi, por ky i fundit nuk e shfrytëzon si duhet.

Goli i parë i takimit vjen pas 36 minutash lojë. Christian Pulisic kombinon mjaft mirë me Timothy Weah që i vetëm përballë portierit e çon topin në rrjetë. Uellsi përpiqet të reagojë menjëherë, por pjesa e parë mbyllet me rezultatin minimal në favor të amerikanëve.

Në pjesën e dytë, Uellsi është më kërkues dhe hidhet në sulm për golin e barazimit. Ben Davies dhe Kieffer Moore i shkojnë shumë pranë golit, por goditjet e tyre nuk përfundojnë në rrjetë.

10 minuta nga fundi i kohës së rregullt, Zimmerman bën një ndërhyrje të gabuar dhe detyron gjyqtarin e takimit të akordojë 11-metërsh. Topin në pikën e bardhë e vendos Gareth Bale që e ekzekuton në mënyrë perfekte duke i çuar shifrat në 1-1.

Ky ishte edhe goli që vulosi rezultatin final të takimit duke i bërë të dyja ekipet të ndajnë nga një pikë në grupin B. Më parë në këtë grup Anglia mposhti Iranin me rezultatin tenistik 6-2. /oversport.tv

Foto: FIFA World Cup, Twitter

You may also like