Virozat e verës, ja pse kaq shumë njerëz vuajtën prej tyre këtë vit – Shqip

by admin
Spread the love
1a7253ebfd94147be1a9016b1f9dc492.jpeg

Nga Fidelma Fitzpatrick

“The Conversation”

Shumica nga ne e lidhin të ftohurën e zakonshme dhe gripin me motin e ftohtë. Por kjo nuk do të thotë se nuk mund të ftohemi edhe gjatë verës. Madje disa viruse janë edhe më të zakonshme në verë sesa në dimër. Virusi i gripit dhe virusi sincicial i frymëmarrjes (RSV) janë më të zakonshëm në muajt e dimrit, pasi temperaturat më të ulëta dhe koha e kaluar në ambiente të mbyllura pranë njerëzve të tjerë, u ofrojnë atyre kushte të favorshme për t’u përhapur.

Por në verë, enteroviruset dhe virusi i Para-gripit 3 janë shumë më të zakonshëm. Infeksionet nga këto viruse priren të arrijnë kulmin në verë dhe në fillim të vjeshtës, kur moti është më i ngrohtë dhe më i lagësht. Që ta dyja këto viruse shkaktojnë simptoma tipike të të ftohurës së zakonshme, përfshirë rrjedhjen e sekrecioneve nga hunda, dobësi fizike, dhimbje muskujsh, kollë, dhimbje koke dhe dhimbje të fytit.

Ndonjëherë virusi i para-gripit mund të shkaktojë bronkit dhe pneumoni tek njerëzit që kanë një sistem imunitar të dobët. Ndërsa këto simptoma janë të ngjashme me alergjitë, ndryshimi kryesor është se alergjitë priren të mos shkaktojnë ethe apo dhimbje trupi, dhe rrallëherë mund të shkaktojnë kollë.

Ftohjet zgjasin nga disa ditë deri në 2 javë. Por në varësi të asaj që e shkakto alergjinë, tek

disa njerëz simptomat e alergjisë mund të zgjasin gjatë gjithë verës. Mund të duket kundërintuitive që disa infeksione virale janë më të zakonshme në muajt e ngrohtë kur kalojmë më shumë kohë jashtë.

Por në muajt e ngrohtë të vitit, shoqërohemi më shumë me të tjerët dhe udhëtojmë më shumë. Pra kjo do të thotë se përzihemi me një numër më të madh njerëzish, ndonjëherë nga pjesë të ndryshme të botës. Po ashtu kur është shumë vapë, shumë nga ne qëndrojnë më shumë në  ambiente të brendshme me ajër të kondicionuar.

Por struktura e një virusi mund të shpjegojë edhe arsyen se pse disa prej tyre përhapen më lehtë gjatë muajve më të ngrohtë të vitit. Që një virus të përhapet dhe infektojë qelizat e shëndetshme, ai duhet të mbijetojë si jashtë ashtu edhe brenda trupit. Po ashtu duhet të përdorë makinerinë e qelizave njerëzore (si ADN-ja e tyre) për të krijuar kopje të vetvetes.

Viruset rrethohen nga një “shtresë” proteinike, e quajtur kapsid, e cila jo vetëm që i jep virusit formën e tij, por e mbron materialin gjenetik që ndodhet brenda. Po ashtu kapsidi e ndihmon virusin të depërtojë brenda qelizave njerëzore për të shkaktuar infeksione.

Disa viruse (të quajtura “viruse të mbështjella”) janë gjithashtu të rrethuara nga një mbështjellës lipidi (acid yndyror). Ky mbështjellës viral e ndihmon virusin të shmangë shkatërrimin nga sistemi imunitar i njeriut. Po ashtu ai luan një rol në bashkëveprimin me qelizat njerëzore për të shkaktuar infeksionin.

Shumë viruse “dimërore” (përfshirë gripin dhe RSV) janë viruse të mbështjella. Këta priren të jenë më të prekshëm ndaj nxehtësisë dhe thatësisë, sesa viruset që nuk kanë mbështjellës. Kjo është një nga arsyet pse mendohet se viruset e të ftohurës së zakonshme gjatë dimrit mbijetojnë më mirë në mjedise më të ftohta dimërore.

Ndërsa disa viruse që shkaktojnë ftohje verore (si enteroviruset) nuk kanë një mbështjellës, të tjerët (virusi i para-gripit 3) e kanë një të tillë. Në fakt, virusi i para-gripit është më i zakonshëm kur temperaturat janë të larta dhe kur lagështia është në nivele të ulëta (edhe pse  mund të mbijetojë tek një sërë nivelesh lagështie).

Kjo sugjeron se pjesë të tjera të strukturës së një virusi, përveç mbështjellësit, mund të luajnë një rol tek kushtet, ku ai mund të mbijetojë dhe përhapet më mirë. Por për ta kuptuar më mirë këtë do të duhen më shumë studime. Ndërkohë një rol mund të luajë edhe ndërveprimi midis temperaturës dhe përgjigjes imune ndaj një virusi.

Një studim zbuloi se minjtë e ekspozuar ndaj temperaturave prej 36°C kanë një përgjigje të zvogëluar imune kundër virusit të gripit. Por sërish nevojiten më shumë kërkime për ta konfirmuar këtë gjetje tek njerëzit. Shumë njerëz kanë raportuar se kanë vuajtur nga virozat

e verës këtë vit, duke lënë të ngritur pyetjen nëse ka luajtur ndonjë rol pandemia.

Imuniteti ndaj viruseve të së ftohurës së zakonshme është jetëshkurtër. Pra, në çdo stinë, kur ekspozohemi ndaj varianteve të reja, sistemi ynë imunitar detyrohet të përshtatet. Por gjatë pandemisë, masa të ndryshme të bllokimit, si distancimi dhe mbajtja e maskave, e kufizuan ekspozimin që shumë njerëz kishin ndaj këtyre viruseve.

Dhe kur nisëm të mblidhemi sërish në grupime të mëdha pas bllokimit, viruset e të ftohurës së zakonshme nisën të qarkullojnë sërish, por imuniteti ynë nuk ishte rritur nga ekspozimi ndaj atij virusi vitin e kaluar.

Ndërsa parashikueshmëria e viruseve sezonale ka ndryshuar që nga shfaqja e Covid-19, shtimi i rasteve me të ftohurën e verës që u vërejt këtë vit është ndoshta pasojë e shtimit të udhëtimeve, e më shumë përzierjeve sociale, e mos-ruajtjes së distancave dhe e ekspozimit më të pakët ndaj viruseve të frymëmarrjes vitin e kaluar.

Këtë vit shumë pjesë të botës kanë përjetuar temperatura jashtëzakonisht të larta. Këto  luhatje të temperaturave dhe lagështisë mund të kenë luajtur një rol në transmetimin e viruseve të ftohurës së zakonshme këtë vit. Këta faktorë do të bëhen edhe më të rëndësishëm në të ardhmen dhe madje mund të ndryshojnë edhe periudhën e vitit kur mund të shohim shfaqjen e disa viruseve.

Ndryshimet klimatike mund të përkeqësojnë më tej përhapjen e viruseve në të ardhmen.

Duke qenë se nuk ka vaksinë për ftohjet e verës, gjëja më e mirë që mund të bëni për të shmangur marrjen e një të tilli është të qëndroni larg njerëzve të sëmurë (nëse është e mundur), të lani duart dhe të shmangni prekjen e fytyrës.

Nëse prekeni prej tyre, këshillat janë të njëjta si në dimër: konsumoni shumë lëngje, pushoni shumë, dhe hani ushqime që përmbajnë vlera të larta ushqyese. Për të mbrojtur të tjerët, rekomandohet gjithashtu kollitja ose teshtitja duke vënë bërrylin përpara.

You may also like