Vijon rënia, Netflix humbet një milion abonentë në tremujorin e dytë

by admin
Spread the love
1a7253ebfd94147be1a9016b1f9dc492.jpeg

Netflix vijoi të humbasë abonentë në tremujorin e dytë, pasi grupi i transmetimit (streaming) u përpoq zbehë frikërat mbi perspektivat e biznesit, duke u thënë investitorëve se “kishte besim dhe ishte optimist për të ardhmen”.

Kompania humbi rreth 1 milion abonentë në tremujorin e dytë, një humbje më e vogël krahasuar me 2 milionë që kishte parashikuar se do të anulonin llogaritë e tyre (account), pasi u ndihmua pjesërisht nga transmetimi i një sezoni të ri të serialit të suksesshëm “Stranger Things” .

Megjithatë, Netflix parashikon se do të fitonte 1 milion abonentë në tremujorin e tretë, një kthesë më e ngadaltë se 1.8 milionë të parashikuar nga analistët e Wall Street.
Rezultatet vijnë pasi Netflix frikësoi investitorët në prill, kur zbuloi se rritja e abonentëve gjatë dekadës kishte përfunduar, duke ngritur pikëpyetje për vlerën e kompanive të argëtimit, që përpiqen të konkurrojnë në streaming.

Kriza solli efekte në Hollywood dhe shkaktoi rënie të aksioneve të grupeve të mëdha mediatike si Disney dhe Warner Bros Discovery, duke nxitur një qasje më të kujdesshme ndaj produkteve televizive dhe kinematografike të muajve të fundit.

Aksionet e Netflix u rritën 7% pas tregtimit nga orari zyrtar, por janë ende në rënie me gati 70 % që nga fillimi i vitit.
Kompania është duke u përballur me rritje të konkurrencës, një treg më i ngopur në SHBA dhe vendimi i Netflix për të rritur çmimet në një kohë kur përdoruesit po përballen me inflacionin në rritje.

Azi-Paqësori ishte i vetmi rajon në të cilin numri i abonentëve të Netflix u rrit në tre muaj deri në fund të qershorit. Netflix regjistroi 1.1 milionë abonentë në rajon, ndërsa humbi 1,3 milionë në SHBA dhe Kanada dhe 800,000 në Euopë, Lindjen e Mesme dhe Afrikë.

Në një letër drejtuar investitorëve të martën, Netflix pranoi se ripërshpejtimi i rritjes së tij do të ishte “një sfidë e madhe”, por mbrojti statusin e tij si “lider në transmetim”.
Kompania e mbylli tremujorin e dytë me 220,7 milionë abonentë në botë, duke i lënë shumë pas konkurrentët.

Netflix mburret se ka më shumë ndikim në kulturën pop sesa konkurrentët e tij, duke përmendur “vlerësimin më të lartë të Twitter” për Stranger Things sesa për serialin Obi-wan Kenobi të Disney, ose për filmin Top Gun Maverick të Paramount.

Netflix zbuloi planet për të rifilluar rritjen, duke njoftuar se vitin e ardhshëm do të prezantojë një plan të ri me pagesë për përdoruesit që ndajnë një llogari (account). Kompania është zotuar se do të ndalë ndarjen e fjalëkalimeve, duke vlerësuar se 100 milionë familje e përdorin, por nuk paguajnë për Netflix.

Fitimi neto i shoqërisë në tremujor ishte 1,4 miliardë dollarë, ndërsa të ardhurat 8 miliardë dollarë. Forcimi i Dollarit Amerikan solli reduktim të të ardhurave me 339 milionë dollarë. Fitimi për aksion ishte 3.20 dollarë, më i lartë se pritshmëritë e analistëve prej 2.96 dollarësh. Thuajse 60% të të ardhurave Netflix e realizon jashtë SHBA, gjë që sjell “një ekspozim të madh” ndaj oscilacioneve të kursit këmbimit. / Financial Times

You may also like