(VIDEO) Zjarri në Tetovë u shua, ajri i ndotur mbeti

by admin
Spread the love

Është shuar tërësisht zjarri në Tetovë  që kaploi dje ndërtesën e ish-fabrikës  Makedonija Tabak  dhe përfshiu dy objekte në afërsi, në të cilat kompani private kanë prodhuar materiale ndërtimore.

Ekipi televizionit Shenja edhe sot vizitoi nga afër  ish Fabrikën e Duhanit,  për të parë gjendjen e saj. Aty vazhdonte të kundërmonte erë e keqe, në disa pjesë të vogla kishte pak tym, por prezentë ishin edhe ekipet e zjarrfikësve, të cilët prapa kamerave deklaruan se nuk ia lënë asgjë rastësisë.

 “Kjo është pra gjendja momentale e ish fabrikës së Duhanit në Tetov, e cila dje u përfshi nga flaka në mëngjes. Ekipeve të zjarrfikësve të Tetovës, ju desht të ju vijë në ndihmë ekipe të zjarrfikësve nga të gjitha qytetet e ndryshme, qytetarë të shumtë dhe Armata e Republikës së Maqedonisë së Veriut, që mbrëmje të shuajnë të tërin”.

Si pasojë e zjarrit dy zjarrfikës janë lënduar lehtë, si dhe disa që kanë thithur tym kanë pasur probleme me frymëmarrjen, ndërsa dëme tjera në njerëz nuk ka pasur, ndërsa shkollat fillore, të mesme dhe çerdhes gjatë ditës së djeshme kanë qenë të mbyllura.  Qendra për Shëndet Publik në Tetovë dje rekomandoi që të sëmurët dhe fëmijët të mos dalin nga shtëpia nëse nuk kanë nevojë ose të mbajnë maskë mbrojtëse KN 95.

Pronari i kompanisë PoFix, ka falënderuar të gjithë qytetarët dhe autoritet që ndihmuan në vënien nën kontroll të zjarrit, ndërsa tha se dëmet materiale të shkaktuara janë rreth 12 milionë.

Edhe zëvendëskryeministri për çështje ekonomike, Fatmir Bytyqi ka vizituar vendin ku shpërtheu zjarri, i cili shprehu keqardhje për zjarrit dhe pasojat.

FATMIR BYTYQI-ZËVENDËSKRYEMINISTËR PËR ÇËSHTJE EKONOMIKE

“Ka dëme të mëdha materiale, por ne themi se dëmet materiale gjithë bashkërisht do të mundohemi që t’i sanojmë. Mendoj që, ky ishte një rast i cili në fakt duhet të jetë si mësim për të gjithë të tjerët, ajo është edhe në kohëra kur duhet të bëhen investime të jemi bashkë, or edhe në kohëra të vështira duhet të jemi bashkë”.

Sa i përket shkaqeve të zjarrit, ka folur edhe  drejtori i Qendrës për Menaxhim me Kriza, Stojançe Angellov, i cili theksoi se kjo nuk është kompetencë e tyre dhe se do të presin që autoritetet përkatëse të nisin hetimet, ndërsa kryetari i komunës së Tetovës Bilall Kasami ka deklaruar se kompania është një biznes serioz dhe i ka plotësuar të gjitha standardet dhe parametrat të cilat kërkohen për siguri.

Samir Mustafa /SHENJA/

 

 

 

 

 

 

You may also like