(VIDEO) VMRO: Pendarovski, hije e Zaevit

by admin
Spread the love

Partitë politike me reagime të ndryshme e kanë pritur fjalimin e fundvitit të presidentit të Republikës, Stevo Pendarovski. LSDM-ja e ka vlerësuar fjalimin e Pendarovskit si fjalim burrshtetasi, edhe pse nga kjo parti thonë se për çështje të caktuara kanë qëndrime të ndryshme me presidentin.

JOVAN MITREVSKI, DEPUTET I LSDM-SË
Shumica Parlamentare te Pendarovski gjen një aleat konstruktiv për konceptin një shoqëri për të gjithë, për drejtimin në të cilin lëviz vendi, për vazhdimin e reformave dhe përmirësimin e cilësisë së jetës. Është normale që për disa çështje të kemi pikëpamje të ndryshme, por kjo është demokracia”.

Edhe BDI-ja thotë se pajtohet me shumicën e gjërave që tha Pendarovski në fjalimin e sotëm.

ARBËR ADEMI , DEPUTET I BDI-SË
“Për disa prej atyre temave të cilat u ngritën, ndajmë të njejtin qëndrim, ndajmë të njëjtin mendim. Sigurisht duke filluar nga ajo se anëtarësimi i vendit në NATO ka ndihmuar Republikën e Maqedonisë së Veriut për sa i përket ballafaqimit me të gjitha rreziqet me të cilat mund të ballafaqohet një vend siç është i yni dhe në këtë drejtim qytetarët fare nuk duhet të ndjehen të shqetësuar” 

Opozita nga ana tjetër e ka vlerësuar ndryshe fjalimin përmbyllës të presidentit. Vllado Misajllovski nga VMRO DPMNE tha se Pendarovski dëshmoi se nuk ka arritur të dalë nga hija e Zaevit dhe nga moçali politik të cilin e ka krijuar qeverisja e tij.

VLLADO MISAJLLOVSKI, DEPUTET I VMRO DPMNE-SË
“Fjalimi i presidentit Pendarovski ishte i parashikueshëm, pa përshtypje të fortë dhe pa befasi. Ai nuk arriti që thelbësisht të hiqet nga hija e Zaevit dhe moçalit politik në të cilin e ka sjellur shtetin. Pendarovski nuk është kurrfarë korrektuesi i pushtetit, i cili është i zhytur në krim dhe korrupsion”

Ndërkohë Aleanca për Shqiptarët përshëndetë kritikat e Pendarovskit për politikat e ndryshme në shtet, por nuk e kupton lavdërimin e presidentit për personin përgjegjës për fenomenet negative sipas tyre, Zoran Zaevin.

HALIL SNOPÇE, DEPUTET I ASH-SË
“Në fund u mor edhe me doreheqjen e kryeministrit Zaev duke qenë kontradiktor me të gjitha gjërat që i tha në brendinë e fjalimit të tij. Pra, sipas kësaj i bie që 10 vite presidenti kritik i fenomeneve në shtet paska bashkëpunuar me një kryeministër dështak, i cili në brendi u kritikua ndërsa në fund u lavdërua. Sinqerisht nuk e kuptuam poentën e fundit, por se ishte kontradiktor përfundimi me brendinë nuk ka dyshime”.

Fjalimi i presidentit Pendarovski para deputetëve, u përcoll edhe nga përfaqësuesit diplomatik në vendin tonë. /SHENJA/

 

You may also like