(VIDEO) Ua mbylli dyert deputetëve, opozita kërkoi interpelancë për kryekuvendarin Xhaferi

by admin
Spread the love

VMRO DPMNE ka dorëzuar interpelancë ndaj kryeparlamentarit Talat Xhaferi, pas situatës së djeshme kur kryeparlamentari Talat Xhaferi kishte mbyllur dyert e seancës plenare derisa deputetët ishin brenda. Kjo nuk është arsyeja e vetme, pasi sipas VMRO DPMNE-së kryeparlamentari Xhaferi ka mbushur kupën me skandale duke fyer të punësuarit në Kuvend dhe duke shkelur Rregulloren shumë herë.

NIKOLLA MICEVSKI, VMRO DPMNE
“Për Talat Xhaferin nuk ekziston Rregullorja e Kuvendit apo të drejtat e njeriut. Ky autokrat ka hyrë në film se është i paprekshëm, prandaj doemos duhet të largohet nga tempulli i demokracisë. Ky është njeriu që ia lejon vetes të hedh në shportë amendamente të opozitës, të nënçmojë të punësuar në Parlament të cilët refuzojnë t’i zbatojnë urdhrat e tij të paligjshme. Të mbyllë deputetë me çelës, dhe të fshehë ligje dhe interpelanca në sirtar dhe ta mohojë të drejtën e deputetëve për ta përfaqësuar popullin që e ka votuar”.

Por, nga kabineti i kryeparlamentarit Xhaferi thonë se mbyllja e dyerve të sallës plenare për numërimin e deputetëve të pranishëm është procedurë e rregullt e parashikuar me Rregullore.

PARLAMENTI I RMV-SË
“Dyert e sallës ishin të mbyllura që shërbimet e Kuvendit të konstatojnë numrin e deputetëve të pranishëm, për të parë nëse ka kuorum për votim. Neni 97 i Rregullores së Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, parashikon që gjatë votimit nominal të deputetëve, dyert e sallës në të cilën mbahet seanca e Kuvendit të mbyllen dhe nuk lejohet hyrja dhe dalja e deputetëve derisa zgjat votimi”.

Edhe LSDM vlerëson se mbyllja e sallës plenare është e zakonshme dhe ka ndodhur dhjetëra herë, por opozita tani po tenton të krijojë skandale prej çdo gjëje.

JOVAN MITREVSKI, LSDM
“Synimi i deputetëve të opozitës është që çdo pikë e rendit të ditës të aplikojë për një fjalim për të zvarritur. Por ditën e djeshme u ra dukshëm energjia, shumë prej tyre nuk ishin të pranishëm në sallë kur u hap pika dhe dukshëm të nervozuar për situatën nisën të denonconin deputetë që nuk ishin të pranishëm në këtë moment. Prandaj, për shkak të numërimit dhe leximit të aplikantëve, si çdo herë më parë, edhe në situata të tilla mbyllen dyert në mënyrë që të mos ketë hyrje e dalje në sallë. Në punën e Kuvendit ka pasur me qindra situata të tilla, por opozita nervoze po bën skandal nga çdo gjë me qëllim që të shkaktojë incident”.

Lidhur me ofendimin e të punësuarve të Kuvendit, siç u dëgjua në një audio incizim të publikuar nga opozita, kryeparlamentari Xhaferi tha se nuk ndjen nevojë për të kërkuar falje. /SHENJA/

You may also like