Opozita BDI dhe LSDM kanë kërkuar përgjegjësi për vdekjen e foshnjës 14 muajshe në klinikën e fëmijëve në Shkup. BDI kërkon nga personat kompetent përgjegjësi morale për rastin në fjalë dhe hetim të plotë, transparent deri në konstatimin e përgjegjësisë juridike të fajtorëve.
DIANA TOSKA, DEPUTETE E “FRONTIT EUROPIAN”
“Foshnja 14 muajshe vdiq sepse nuk mori trajtimin e duhur nga institucioni kompetent, repektivisht në Klinikën e Fëmijëve në Shkup, drejtor i së cilës është Rexhep Memedi i cili ka akomoduar edhe kushëririn e vet Alajdin Memedi bashkë me të cilin akuzohen për korrupsion.Ditët po kalojnë dhe Drejtori Mehmedi vazhdon të mos ketë sy e vesh për një skandal të radhës të institucionit ku ai është drejtor, e që për pasojë humbi jetën një fëmijë 14 muajsh, ndërsa më herët rriheshin fëmijët nga punonjësit dhe ju ndaloheshte të flasin shqip”.
Nga LSDM-ja thanë se Ministria e Shëndetësisë dhe të gjitha institucionet kompetente duhet urgjentisht të marrin të gjitha masat e nevojshme për të përcaktuar shkaqet e kësaj ngjarje tragjike.
LSDM
“Informacionet e konfirmuara se foshnjës i është refuzuar shtrimi në spital janë jashtëzakonisht shqetësuese. Ky është rasti i dytë tragjik brenda një jave në objektet shëndetësore. LSDM kërkon analizë më të thellë dhe transparencë të plotë në procesin e përcaktimit të përgjegjësisë. Publiku meriton të dijë se ku janë bërë dështimet”.
Ministri i Shëndetësisë, Arben Taravari sot njoftoi se Inspektorët e Inspektoratit Shtetëror Shëndetësor dhe Sanitar nga mëngjesi po kryejnë kontrolle në Spitalin “Kozle” dhe Klinikën e Fëmijëve në Shkup, pas vdekjes së foshnjës 14 muajshe ditën e shtunë, për tu vertetuar shkaqet e këtij rasti.
ARBEN TARAVARI, MINISTËR I SHËNDETËSISË
“Takimi i parë mëngjesin e sotëm ishte me drejtorin, tashmë ekipi është në terren. Komisioni tashmë është formuar dhe është në punë, në terren për të shqyrtuar të gjitha faktet dhe argumentet. Inspektorët e Entit Sanitar Shëndetësor dhe Komisioni kanë qenë në të dy spitalet në Shkup që nga ora 9:00”.
Taravari në deklaratën e djeshme për media konfirmoi se foshnja e ndjerë ishte refuzuar për shtrim në spital dhe tha se përgjegjësi për rastin do të ketë.
Mëngjesin e së shtunës në Klinikën e Fëmijëve në Shkup ndërroi jetë foshnja 14 muajshe. Prindërit e foshnjës thanë se foshnjës së ndjerë disa herë i ishte refuzuar shtrimi në spital, edhe pse prindërit e kishin dërguar vazhdimisht.
Drejtori i Klinikës së Fëmijëve “Nënë Tereza”, Rexhep Memedi në prononcimin e tij për media tha se foshnja është sjellë në gjendje të rëndë shëndetësore në klinikë dhe me saturacion shumë të ulët të oksigjenit.
Medina Ajeti Ali /SHENJA/