(VIDEO) Sipas Kushtetutës kryeministri i ri me Qeverinë e re do të zgjidhen vitin e ardhshëm

by admin
Spread the love

Kuvendi e konstatoi dorëheqjen e Kryeministrit Zoran Zaev, të cilën ai dje ia dorëzoi kryeparlamentarit Talat Xhaferi.  Që sot fillojnë të vijojnë edhe afatet kushtetuese për zgjedhjen e Qeverisë së re. Procedurën në rast dorëheqjeje e rregullojnë Kushtetuta e Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Rregullorja e Kuvendit.

Në nenin 93 të Kushtetutës është theksuar se:

“Dorëheqja e kryetarit të Qeverisë, vdekja e tij ose pengesa e përhershme që ta kryejë funksionin, tërheqin dorëheqje të Qeverisë. Qeveria e cila ka dhënë dorëheqje ose së cilës i është ndërprerë mandati, mbetet në detyrë deri në zgjedhjen e Qeverisë së re”.

Në nenin 219 të Rregullores së Kuvendit, qëndron se:

 “Dorëheqja e Qeverisë ose e kryetarit të Qeverisë, parashtrohet te kryetari i Kuvendit në formë të shkruar dhe mund të shpjegohet… Dorëheqjen e Qeverisë ose kryetarit të Qeverisë, kryetari i Kuvendit menjëherë e dorëzon te deputetët dhe te presidenti i Republikës”.

Në nenin 220 më tutje thuhet se:

 “Kuvendi në mbledhjen e parë të ardhshme, pa debatuar, konstaton se kryetarit të Qeverisë, Qeverisë ose anëtarit të Qeverisë, mandati iu ndërpritet në ditën e mbajtjes së mbledhjes”.

Më pas sipas nenit 90 të Kushtetutës, presidenti i shtetit është i obliguar në afat prej dhjetë ditësh t’ia besojë mandatin për përbërjen e Qeverisë një kandidati të partisë, gjegjësisht partive që kanë shumicë në Kuvend. Mandatari në afat prej 20 ditësh nga dita e dorëzimit të mandatit, Kuvendit i dorëzon program dhe e propozon përbërjen e Qeverisë. Qeverinë me propozimin e mandatarit dhe në bazë të programit, e zgjedhë Kuvendi me shumicë votash nga numri i përgjithshëm i deputetëve.

Zoran Zaev në dorëheqjen e shkruar theksoi se këtë vendim e ka marrë si hap logjik i cili del nga rezultati në zgjedhjet lokale dhe si shprehje e përgjegjësisë së ndërmarrë për rezultatet e zgjedhjeve. Ai gjithashtu thotë se dorëheqjen nuk do ta elaborojë me gojë para deputetëve.

Shumica parlamentare pritet që për mandatar ta propozojë liderin e ri të LSDM-së dhe zëvendësministrin aktual të Financave, Dimitar Kovaçevski. /SHENJA/

 

You may also like