(VIDEO) Sindikalistët kërcënojnë me grevë nëse nuk vazhdon rritja e pagave

by admin
Spread the love




Rritja e pagës minimale në 18 000 denarë, solli edhe kërkesa të reja.  Sindikata dhe opozita maqedonase vazhdimisht po bëjnë apel për rritjen edhe të pagave të tjera. Nga Konfederata e Sindikatave të Lira kërkuan që deri në mesin e marsit pagat të nivelizohen, pasi në të kundërtën ata kërcënojnë me grevë. Poashtu thanë se i kanë dërguar letër kryeministrit dhe kanë kërkuar takim me të për të biseduar në mënyrë që të tejkalohet ky problem, por thanë se ende nuk kanë marrë përgjigje.

Ndërkaq, qëndrimi i kryeministrit Dimitar Kovaçevski është se duhet të respektohet Ligji për pagë minimale edhe në sektorin privat edhe në atë publik dhe secili mosrespektim të denoncohet tek institucionet kompetente. Rritja e pagave sipas tij duhet të vlejë edhe për sektorin publik dhe duhet të dal nga dialogu me të gjithë partnerët social. Rritja e pagave në administratë, siç tha Kovaçevski duhet të shkoj së bashku me rritjen e produktiviteit të punës që do të rezultoj me shërbime administrative më kualitative.

Ndryshimet e Ligjit për pagë minimale që u shoqëruan me marrëveshjen e arritur të këshillit ekonomiko-social janë në procedurë parlamentare. VMRO-DPMNE-ja opozitare paralajmëroi se do të dorëzoj amendamente për nivelizimin e pagave me pagën minimale.

Marrëveshja për rritjen e pagës minimale në 18 000 denarë u arrit më 7 shkurt në seancën e këshillit ekonomiko-social. Të tre partnerët social, sindikatat, punëdhënësit dhe Qeveria u dakorduan për metodologji të re për rregullim të pagës minimale që bëhet një herë në vit.

Emine Ismaili /SHENJA/

 


You may also like