(VIDEO) Shtesat për fëmijë nuk do të rriten, do të rriten vetëm pagat

by admin
Spread the love

Nuk do ta rrisim kufirin, censusin për marrje të shtesave fëmijërore dhe të shtesës për arsimim, por do ta rrisim vazhdimisht pagën minimale, tha Ministrja e Punës dhe Politikës Sociale, Jovana Trençevska, në konferencën e sotme për media ku prezantoi propozim-buxhetin e Ministrisë për vitin 2023. Kjo është strategjia e Qeverisë, tha Trençevska në pyetjen e gazetarëve se nëse do të ketë rritje të pragut për këtë lloj kompensimi social, sepse me rritjen e pagës minimale në mars të këtij viti në 18.000 denarë, disa familje humbën të drejtën e përdorimit të shtesës për fëmijë dhe shtesës arsimore.

JOVANA TRENÇEVSKA,  MINISTRE E PUNËS DHE POLITIKËS SOCIALE

“Synimi i reformës sociale në vitin 2019 ishte përfshirja e sa më shumë familjeve në programin e mbrojtjes së familjeve në rrezik social dhe për këtë arsye shtesa për fëmijë dhe arsimim u fut jo vetëm për punonjësit me të ardhura të ulëta, por për të gjithë qytetarët. Megjithatë, synimi në pjesën e pagës minimale, pra rritjen e pagës minimale, është që familjet të kenë të ardhura më të larta brenda buxhetit të tyre dhe për këtë arsye e kemi rritur pagën minimale në mars të vitit 2022”.

Trençevska theksoi se në vitin 2023 do të rritet edhe paga minimale dhe synimi i Qeverisë nuk është të mbajë në sistemin e mbrojtjes sociale shumicën e familjeve, por vetëm ato nga kategoritë më të rrezikuara.

JOVANA TRENÇEVSKA,  MINISTRE E PUNËS DHE POLITIKËS SOCIALE

“Paga minimale do të rritet edhe në vitin 2023 sipas metodologjisë së re, që do të thotë më shumë të ardhura në familjet, anëtarët e të cilave marrin pagën minimale. Prandaj, qëllimi i Qeverisë nuk është t’i mbajë qytetarët në sistemin e mbrojtjes sociale, por të lejojë që ata që janë më të cenuarit dhe ata që janë materialisht të pasigurt të hyjnë në këtë sistem dhe nga ky aspekt ne nuk do ta kufizojmë regjistrimin e shtesës së fëmijëve dhe shtesës arsimore, por ne do të rrisim vazhdimisht pagën minimale”

Trençevska shtoi se nuk është i madh numri i qytetarëve që kanë humbur të drejtën e ndihmës për fëmijë. “Jo më shumë se 500 fëmijë e humbën këtë të drejtë, që do të thotë se për familjet e këtyre 500 fëmijëve kemi më shumë të ardhura në buxhetin familjar nëpërmjet rritjes së pagave”, tha ministrja e Punës dhe Politikës Sociale.

Medina Ajeti /SHENJA/

 

You may also like